Pranvera Hyseni

Asteroidi Pranvera Hyseni

Që e vogël sytë e saj kureshtarë ishin të drejtuar nga qielli. Nuk ngopej asnjëherë nga ajo çfarë shihte. Vrojtimin e hapësirës e filloi si pasion, por tash astronomia për Pranvera Hysenin po bëhet profesion.

Astronomia është ndër shkencat më të vjetra që kaherë ka tërhequr vëmendjen e njeriut. Fenomenet qiellore të shoqëruara me pamje spektakolare kanë qenë disa prej ngjarjeve që kanë ndikuar masivisht në lindjen e besimeve të ndryshme në shumë civilizime. Në Kosovë kjo shkencë është shumë pak e njohur.

Por, kjo nuk doli të jetë pengesë për astronomen Pranvera Hyseni.

E lindur e e rritur në fshatin Shallc të Vushtrrisë, Pranvera është ndër të parët persona në vendin tonë që filloi të merret me astronomi.

24-vjeçarja është themeluese e organizatës “Astronomy Outreach of Kosovo”, e cila funksionin tash e 5 vjet.

Gjithçka filloi më 1999

Një ditë gushti të vitit 1999 në mes të ditës u bë terr. Siç tregon Pranvera, ajo dhe familja e saj nuk kishin parë asnjëherë diçka të tillë.

Ajo rrëfen se fqinjët e saj filluan të shqetësoheshin e panikoheshin sepse nuk kishin dijeni se çfarë ishte ai fenomen.

“Dolëm të gjithë jashtë, sytë e mi u mahnitën nga ajo se çfarë panë. Ishte eklipsi i parë që unë shihja”, tha ajo

Që nga ajo moshë, kureshtja e saj për astronominë është zgjuar për të mos u shuar më kurrë.

“Ajo ndodhi më la shumë mbresa dhe fillova të mendoj e mësoj se pse ndodh ai fenomen, nga vjen ai. Më pas edhe për Hënën, planetet nuk ndalja së lexuari”, vazhdon Pranvera duke kujtuar me ëndje fëmijërinë.

Pranvera në moshën 15-vjeçare pajiset me teleskopin e saj të parë. Atë ia dhuroi një astronom kroat. Me të ajo filloi eksplorimet e saj të para.

Asteroidi 45687 Pranverahyseni

Në vitin 2017, Unioni Ndërkomëtar i Astronomëve (International Astronomical Union) si dhe qendra Minor Planet Center, vendosin të emërtojnë një trup qiellor, përkatësisht asteroid, në emër të Pranvera Hysenit.

“Njëri ndër privilegjet më të jashtëzakonshme që kam pranuar ndonjëherë është emërtimi i asterodit me emrin tim. Asteroidi me përmasa rreth 13 km, orbita e të cilit shtrihet në mes të Marsit dhe Jupiterit, është zbuluar nga Catalina Sky Survey në vitin 1995 (viti i lindjes sime)”, thotë ajo.

Pranver Hyseni rrëfen për KALLXO.com se gjatë tre viteve të fundit udhëtimet e saj kanë qenë të shumëta e kjo njëkohesisht i ka sjellë takime me personalitete të shquara në fushën e astronomisë.

Me emocione ajo tregon se Buzz Aldrini, ndër astronautët e parë që ka shkelur sipërfaqen e Hënës, është njeriu më i rëndësishem që ajo e ka takuar.

“Ndër personalitetet më të shquara që kam takuar gjatë udhëtimeve jashtë vendit, është astronauti Buzz Aldrin,I cili  në vitin 1969 me Apollo 11 kishte shkelur në Hënë. Takimi ynë ka ndodhur në qershor të vitit 2019, gjatë një konference për media në Zvicër gjatë festivalit Starmus”, tha ajo.

Nga Vushtrria në NASA

Udhëtimet jashtë vendit, Pranvera i konsideron përvojat më të vlefshme që ajo ka kaluar gjatë tri viteve të fundit.

“Kam udhëtuar në Evropë, në 30 shtete të ShBA-së, Australi, Amerikën Latine si dhe Ishujt Bahame. Në shumicën e këtyre vendeve, kam qenë e ftuar të prezantoj në universitete apo konferenca të ndryshme shkencore, gjatë të cilave më është mundësuar takimi me astronomë dhe ekspertë, të cilët më kanë inkuadruar në programe të ndryshme hulumtuese, kryesisht në kërkimin e asteroidëve”, rrëfen ajo.

Vizitat në NASA, qendrën më të madhe hapësinore në ShBA, Pranvera thotë se ishin më të veçantat dhe më të rëndësishmet që ajo ka bërë.

“Ndër vizitat më të rëndësishme që vlen të theksohen janë vizitat private në katër prej qendrave të NASA-s, vizita në Universitetin e Harvardit, vizita e më shumë se 20 observatorëve dhe teleskopëve më të sofistikuar në ShBA si dhe të qenit prezent gjatë lansimit të anijes kozmike Delta IV Heavy nga qendra e NASA-s Kennedy në Florida”, tha Pranvera.

Astronomy Outreach of Kosovo

“Astronomy Outreach of Kosovo” është organizatë joprofitabile e themeluar nga Pranvera  në vitin 2015, bashkë me Milaim Rushitin, Ramiz Beqajn si dhe Visar Azemin.

Qëllimi i kësaj organizate sipas themelueses është popullarizimi i shkencës së astronomisë në Kosovë.

Aktivitieti i AOK ka qenë i koncentruar në përdorimin e teleskopëve si dhe pajisjeve tjera për t’u ofruar njohuri rreth ngjarjeve dhe trupave qiellorë qytetarëve dhe nxënësve të shkollave të Kosovës.

“Veprimtaria jonë është mbështetur jashtëzakonisht shumë nga komuniteti ndërkombëtar i astronomëve me anë të donacioneve, me të cilat ekipi jonë ka punuar vazhdimisht”, shton Hyseni.

Në shkurt të vitit 2019, Kuvendi i Kosovës ka miratuar amandamentin për ndërtimin e observatorit dhe planetariumit të parë në Kosovë në bazë të Projektligjit për buxhet dhe financa, duke ndarë shumën prej 236,000 euro me kërkesën e AOK.

Shuma e ndarë ka kaluar tek Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilët është dashur që të bëjnë alokimin e këtyre fondeve. Megjithatë, sipas Pranvera Hysenit, neglizhenca dhe papërgjegjësia e ministrit në detyrë ka rezultuar me vonomin e procedurave, si shkak fondet janë kthyer si suficit prapë në arkën e shtetit.

Pranvera Hyseni aktualisht është duke u përgatitur për studime pasdiplomike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por asnjeherë duke mos e lenë anash organizaten Astronomy Outreach of Kosovo.

“Synoj që udhëtimet t’i shpeshtoj dhe zgjeroj akoma më tepër edhe në kontinente tjera, ku gjatë vitit 2020 planifikoj të udhëtoj në Azinë juglindore (Tajlandë, Indonezi, Malajzi, Vietnam, Kamboxhë), në Australi, si dhe në Argjentinë”, thotë për fund vushtrriasja Pranvera Hyseni.