Foto: AGK

Arrin në Kosovë gazetarja e katërt ukrainase

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar se sot pasdite në Kosovë ka mbërritur gazetarja Daria Meshchriakova.

Meshchriakova është e katërta gazetare që për të ikur nga lufta në Ukrainë vjen në Kosovë në kuadër të projektit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”.

“Zonja Meshchriakova është e specializuar për raportim në fushën e sportit, dhe është njohëse e mirë e zhvillimeve në Kosovë dhe rajon”, thuhet në njoftimin e AGK.

Në programin e mbështetur financiarisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, gazetarët që janë detyruar të ikin nga Ukraina përfitojnë pagë mujore, pagesën e qerasë dhe sigurim shëndetësor.
Meshchriakova është pritur në aeroport nga kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha dhe përfaqësuesja ligjore e European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Flutura Kusari, organizata këto implementuese të projektit.

Gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë është  Lyudmila Makey e cila ka ardhur më 17 prill.

Ndërsa më 22 maj kanë ardhur edhe dy gazetarët e tjerë, Serhii Shevchenko dhe Liudmyla Mekh.