Arrestohet një i dyshuar për grabitjen në Shtime

Policia e Kosovës ka njoftuar sot se është arrestuar një i dyshuar për grabitjen që ndodhi në Shtime dy ditë më parë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Mehmetali Hajdini, konfirmoi për KALLXO.com se një person është arrestuar dhe se ai është duke u intervistuar nga hetuesit në stacionin e Policisë në Ferizaj.

Hajdini tha se arrestimi i tij është bërë në një lokacion në rajonin e Prishtinës.

Ai shtoi se Policia është në kërkim edhe të të dyshuarve tjerë.

Gjatë grabitjes që ndodhi të mërkurën në orët e hershme të mëngjesit në Shtime, njëri nga grabitësit e dyshuar mbeti i vdekur ndërsa pronari i shtëpisë, i cili kishte ardhur nga Zvicra për pushime, u plagos.

Policia ka arrestuar vetë pronarin dhe vëllain e tij ndërsa banorë të Shtimes kanë protestuar para stacionit të Policisë në Ferizaj në kërkim të lirimit të tyre.