Arrestohen dy të dyshuar për shtytje në vetëvrasje, një tjetër ende në kërkim

Dy persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Shtytje në vetëvrasje”, ndërsa një i tretë po kërkohet nga Policia.

Kjo ka ndodhur pasi që është gjetur trupi i pajetë i një burri në Graçanicë, dje më 14.05.2024 rreth orës 7 të mëngjesit.

“Një mashkull kosovar, ka raportuar se ka vërejtur një person që dyshohet pa shenja jete. Njësitet relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe është konstatuar vdekja e viktimës mashkull kosovar” – thuhet në raportin policor.

Policia njofton se për këtë rast janë bastisur dy lokacione, në njërin prej të cilit janë sekuestruar disa dokumente, ndërsa në tjetrin nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

“Lidhur me rastin në koordinim me prokurorin dhe me urdhër të gjyqtarit është bërë bastisja në dy lokacione të ndryshme, dhe në shtëpinë e të dyshuarit mashkull kosovar gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar disa dokumente, ndërsa në lokacionin e dytë në shtëpinë e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë nuk është gjetur asgjë e dyshimtë që ndërlidhet me rastin” – thuhet më tej.

Pas intervistimit të dy të dyshuarve, me vendim të prokurorit ata janë dërguar në mbajtje. Ndërkaq, një i dyshuar i tretë po kërkohet nga Policia pasi që nuk u gjet në shtëpi.

Policia ka cilësuar rastin si “Trup i pajetë/Vdekje e dyshimtë dhe Shtytje në vetëvrasje”.