Arrestohen dy të dyshuar në Mitrovicën Veriore, vidhnin çanta të krahut

Dy persona janë arrestuar në Mitrovicë të Veriut nën dyshimin se kanë vjedhur çantat e krahut disa qytetarëve.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani ka thënë se janë gjithsej katër raste të ndodhura për vetëm 11 ditë.

“Nga data 11.01.2024 deri më datë 22.01.2024 janë raportuar 4 raste në të cilat viktima kanë qenë femra të nacionalitetit serb, e të cilave nga persona të panjohur u janë vjedhur çantat e krahut derisa të njëjtat kanë qenë duke ecur rrugës” – tha Elshani.

Tutje ai shtoi se në këto raste, dy prej tyre, nga ana e prokurorit janë cilësuar si  “Grabitje” dhe një tjetër është cilësuar  “Vjedhje e rëndë” dhe njëra “Vjedhje”.

Të dyshuarit, Elshani tha se janë arrestuar dje rreth orës 19:30 përballë shtëpisë së shëndetit në Mitrovicën Veriore.

Të dyshuarit, N. S., 25-vjeçar dhe S. H., 31-vjeçar, sipas Elshanit gjatë bisedës kanë pranuar se i kanë vjedhur çantat.

Tek të dyshuarit Policia ka gjetur deri më tani 3 çanta së bashku me dokumentet.

Sipas Elshanit, në konsultim me prokurorin e shtetit, të dyshuarve iu caktohet masa e ndalimit deri në 48 orë.

Rasti i parë Elshani tha se ka ndodhur më datë 11.01.2024 rreth orës 18:30 në Rrugën “Knjaz Millosh”.

Viktimës i është vjedhur çanta në të cilën kanë qenë 50 euro, 4000 dinarë si dhe dokumentet personale të Shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Rasti i dytë ka ndodhur më 13.01.2024 rreth orës 20:20, po ashtu në rrugën “Knjaz Millosh” ku viktimës iu është vjedhur çanta me dokumentet zyrtare.

Rasti i tretë ka ndodhur më datë 20.01.2024 rreth orës 22:25 në rrugën “Kral Petar”, ku viktimës iu është vjedhur çanta me disa para, me dokumente të Kosovës e të Serbisë.

Dhe rasti i fundit ka ndodhur dje rreth orës 18:00, po ashtu në rrugën “Knjaz Millosh”, ku përsëri viktimës i është vjedhur çanta me dokumente.