MEKA - Haxhinjtë

Arabia Saudite ndalon haxhin për të huajt nga frika për përhapjen e COVID-19

Myslimanët nga e gjithë bota do të ndalohen të marrin pjesë në haxhin e këtij viti, pelegrinazhin vjetor në vendet e shenjta islamike në Mekë dhe Medinës, i cili zakonisht mbledh rreth 2.5 milionë vizitorë.

Arabia Saudite ka thënë se vetëm një numër i kufizuar i njerëzve që janë banorë në mbretëri do të lejohen të marrin pjesë në haxh, në një përpjekje për të parandaluar përhapjen e COVID-19, raporton The Guardian.

Vendi ka regjistruar 161,000 raste me COVID-19 dhe më shumë se 1,300 vdekje. Masa për mbylljen 24-orëshe në mbarë vendin u hoq në fundjavë, me të gjitha aktivitetet ekonomike dhe tregtare të cilat u lejuan të rifillojnë, por udhëtimi ndërkombëtar është akoma i ndaluar.

Kishte spekulime të gjera që pelegrinazhi i këtij viti do të anulohej, por media shtetërore njoftoi të hënën se një numër i vogël i njerëzve që jetojnë në Arabinë Saudite do të lejohen të vizitojnë Mekën dhe Medinën kur haxhi të fillojë në fund të korrikut.

“Numri, me dëshirën e Zotit, mund të jetë në mijëra. Ne jemi në proces të rishikimit, kështu që mund të jetë 1 mijë ose më pak, ose pak më shumë”, tha ministri i Haxhit, në Arabinë Saudite, Muhamed Benten, në një konferencë shtypi virtuale.

Personat mbi 65 vjeç nuk do të lejohen të kryejnë haxhin. Të gjithë haxhinjtë, dhe ata që i shërbejnë pelegrinët, do të karantinohen para dhe pas haxhit.

Autoritetet saudite pezulluan pelegrinazhin Umrah në fund të muajit shkurt.

Haxhi – një kërkesë për myslimanët me trup të aftë të paktën një herë në jetën e tyre – potencialisht mund të jetë një burim infeksioni pasi miliona haxhinj grumbullohen në vendet fetare për pesë ditë.

Këtë muaj Indonezia, vendi me popullsinë më të madhe myslimane, tha se shtetasit e tij nuk do të marrin pjesë në haxh këtë vit për shkak të rrezikut të mundshëm për shëndetin. Malajzia, Senegali dhe Singapori ndoqën të njëjtin shembull.