Ambasadori i Kroacisë në Shqipëri: 'Ballkani i Hapur' legjitimon 'botën serbe'

Ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, Zlatko Kramariq në një intervistë për Albanian Daily News, u shpreh i shqetësuar se situata aktuale politike në Ballkan nuk është e mirë.  Sipas ambasadorit kroat, bashkësia ndërkombëtare, po vonohet me reagimet e saj, e edhe atëherë kur reagon, ai thotë se reagimi është joadekuat.

“Politikanët ballkanikë duan t’i përsërisin të gjitha gabimet që i kanë bërë shumë herë gjatë historisë. Dhe ata janë shumë këmbëngulës në këto aktivitete”, tha ambasadori kroat.

Ndërkaq, i pyetur për nismën ’Ballkani i Hapur’, ai vuri në dukje se është shumë e rëndësishme të njihet me kohë, para se të jetë tepër vonë, të gjitha pasojat e mundshme politike pas frazës ‘së pafajshme’: ‘bota serbe’, e cila ngadalë por me siguri po legjitimohet përmes nismës ‘Ballkani i Hapur’ dhe me mbështetje ndërkombëtare.