Foto: Ambasada Amerikane/Youtube

Ambasada e ShBA: Tensionet duhet të ulen menjëherë, veprimet mund të kenë pasoja të padëshiruara

Ushtrues i Detyrës së ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Nicholas J. Giacobbe, ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për të diskutuar për masën e targave të vendosur ditë me parë për Serbinë.

Sipas postimi bërë nga ai në Twitter, Giacobbe ka thënë se nevojiten hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet, pasi veprimet mund të kenë pasoja.

“Takim i mbarë me kryeministrin Albin Kurti, mbi rëndësinë e ri-angazhimit në dialogun e lehtësuar nga BE për zgjidhjen e targave dhe çështjeve të tjera. Nevojiten hapa të menjëhershëm për të zvogëluar tensionet. Veprimet mund të kenë pasoja të padëshiruara që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve”, ka shkruar Giacobbe.

Autoritetet e Kosovës, të hënën, më 20 shtator, kanë nisur zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Sipas këtij vendimi, të gjitha automjetet me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë duhet të pajisen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Qytetarë të shumtë të veriut të Kosovës janë mbledhur në afërsi të kësaj pike kufitare ndërsa kanë bllokuar totalisht qarkullimin e veturave për shkak të vendosjes së makinerive të rënda si shenjë proteste për vendimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në lidhje me zëvendësimin e përkohshëm të tabelave të veturave të cilat hyjnë nga pikat kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

 

(VIDEO & FOTO) Vendosen kamion me zhavorr në hyrje të Leposaviqit