Albin Kurti letër Bidenit: Ndajmë të njëjtat vlera që ishin thelbësore në fushatën tuaj

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një letre dërguar fituesit të zgjedhjeve presidenciale të ShBA-së, Joe Biden, i ka uruar atij dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris postet e reja.

Kurti ka thënë se Vetëvendosja ndan shumë nga të njëjtat vlera që ishin thelbësore në fushatën e Bidenit.

“Duke filluar nga  sigurimi i kujdesit shëndetësor me cilësi të lartë për të gjithë qytetarët gjatë pandemisë COVID-19 ; vendosjen e themeleve të nevojshme për një ekonomi më të gjelbër; sigurimi i mundësive të barabarta në arsim dhe punësim; dhe dhënia fund e korrupsionit dhe keqpërdorimit të pushtetit” ka shkruar Kurti në Facebook.

Kreu i LVV-së ka shkruar se si ish-kryeministër i Republikës së Kosovës dhe kryetar i partisë, shpreh mirënjohjen e tij për historinë e gjatë të Bidenit për avokimin për të drejtat e qytetarëve të Kosovës, si dhe për mbështetjen e pandërprerë për pavarësinë dhe njohjen e saj ndërkombëtare.

“Duke marrë parasysh këto përpjekje, shpresoj që administrata juaj do të luajë një rol qendror në vënien e drejtësisë dhe transparencës në të gjitha aspektet e negociatave të vazhdueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me qëllim të avancimit të shpejtë të këtyre negociatave drejt qëllimit të njohjes së plotë dhe të ndërsjellë” ka shkruar ai.

Ai ka thënë se gëzohet për fitoren e tij, pas një fushate të gjatë dhe të luftuar me mund.

“Jo vetëm thellësia dhe përmbajtja e ideve tuaja, por edhe mënyra dinjitoze se si jeni sjellë si kandidat, i kanë dëshmuar gjithë botës mirësjelljen tuaj njerëzore, si dhe një respekt të mirëfilltë për normat e ligjërimit demokratik” ka shkruar Kurti.

Tutje, ai ka shkruar se nga  cilado pozitë në të cilën ndodhet gjatë mandatit të Bidenit si President, shpreson të bashkëpunojë ngushtë me administratën e tij për të ndihmuar në avancimin e idealeve të përbashkëta dhe në forcimin e mëtejshëm të lidhjes historike midis dy kombeve.

Albin Kurti gjatë fushatës për zgjedhjet në ShBA kishte ftuar shqiptarët që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta votojnë Joe Bidenin për president në zgjedhjet presidenciale.

Ai përmes një video-mesazhi në Facebook, ka thënë se një votë për Bidenin është një votë për të përforcuar vlerat e përbashkëta të drejtësisë, lirisë, vetëvendosjes dhe mundësive për të gjithë.

Letra:

Letra e Albin Kurtit drejtuar Joe Bidenit; Fotografi: Albin Kurti në Facebook