AGK reagon pas vandalizmit të zyrës së organizatës 'QIKA'

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar pas vandalizmit të logos së organizatës joqeveritare Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA.

AGK ka thënë se e ka pranuar me shqetësim këtë informacion.

“Në njoftim, bëhet e ditur se vandalizmi i logos së organizatës ka ndodhur pas transmetimit të emisionit “Ngjyrat e dashurisë”, dhe vendosjes së flamurit të komunitetit LGBTIQ+, në ballkonin e QIKA-s” – tha AGK.

Tutje u tha se për AGK-në, ky akt është i papranueshëm, i shëmtuar dhe sulm i drejtpërdrejt ndaj të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes, e medias.

Vandalizmi i logos së QIKA-s, Asociacioni tha se kontribuon në gjuhën e urrejtjes dhe sulmeve verbale ndaj personave të komunitetit LGBTIQ+.

Po ashtu, Asociacioni i bëri thirrje Policisë që të hetojë rastin me urgjencë duke thënë se nuk është hera e parë që kjo organizatë është cak i sulmeve të ngjashme.