Zgjedhje në korrik për bordin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) më 06.07.2024 do të mbaj Kuvendin për zgjedhjen e bordit të kësaj organizate, duke përfshirë kryetarin dhe anëtarët.

AGK njofton se Kuvendi Zgjedhor i AGK-së do të mbahet në Atelienë përballë Sallës së Kuqe, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve.

“Të nderuar anëtare/anëtarë të organizatës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, më 6 korrik 2024 do të mbajë Kuvendin për Zgjedhjen e Kryetares/Kryetarit dhe Anëtarëve të Bordit të organizatës.  Kuvendi i Zgjedhor i AGK-së, do të mbahet në Atelienë përballë Sallës së Kuqe, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, nga ora 11:00”- thuhet në njoftim.

Aktualisht, në krye të bordit të AGK-së është Xhemajl Rexha i cili u zgjodh në korrik të 2021.

Ndërsa anëtarë të bordit  janë: Naile Dema – Selmani, Albioneta Ademi, Besnik Latifi, Naim Sadiku, Burim Zariqi, Pranvera Behluli – Restelica, Mentor Buzhala dhe Florandë Morina.