AGK kërkon edhe njëherë të mos miratohet projektligji për KPM-në

Kryetari i Asociacionit te Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, sot përmes një konference ka shprehur shqetësimet e tyre lidhur më projektligjin e Komisionit të Pavarur të Mediave i cili pritet të miratohet sot në lexim te dytë në Kuvendin e Kosovës.

“Si AGK e themi se Shoqëria Civile nuk ka qenë e përfshirë në fazat kryesore të hartimit të këtij ligji dhe qeveria e Kosovës, partia në pushtet nuk ka qenë e interesuar që të flasë me gjithë akterët”- tha kryetari i AGK-se, Xhemajl Rexha.

Ndërkaq sipas juristes së mediave Flutura Kusari, ky ligj është thelbësor dhe është dashur të trajtohet me një ndjeshmëri më të lartë.

“Projektligji për KPM-në është ligji më thelbësor dhe si i tillë është dashtë të draftohet me një ndjeshmëri më të lartë për shkak se pasojat e një ligji të keq do të kenë ndikim në pluralizmin e mediave”-  ka deklaruar Kusari.

Shqetësimi tjetër lidhur me projektligjin e KPM-së është edhe mos përfshirja e rekomandimeve të Këshillit të Europës sipas Kusarit.

“83% e rekomandimeve të Këshillit të Europës nuk janë marr parasysh nga Komisioni për Media në parlament” – është shprehur Kusari.

Gjithashtu edhe mos interesimi i opozitës për të qenë pjesë në Komisionin për Media kur është diskutuar për ligjin e KPM-së është parë më shqetësim nga AGK-ja.

“Shumë herë deputetët e opozitës kanë munguar në Komisionin për Media kur është diskutuar për ligjin e KPM-së dhe nuk kemi parë një interesim dhe përfshirje sa duhet për ta ngritur zërin kundër këtij projektligji”- ka thënë Rexha.

Ndërsa, Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhjen për “dështimin” e Kosovës për të inkorporuar rekomandimet në tre projektligje vendimtare, atë për Zyrtarët Publikë, Komisionin e Pavarur për Media dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Zyra e BE-së në Kosovë, në një komunikatë për media më 26.06.2024, i ka bërë thirrje Kuvendit që të rishqyrtojë edhe një herë amendamentet e propozuara për të siguruar që këto projektligje të përmbushin standardet perëndimore.

Për Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, BE-ja thotë se versioni aktual nuk e pasqyron shumicën e rekomandimeve të përfshira në opinionin ligjor të përgatitur nga Këshilli i Europës, duke përfshirë çështjet delikate siç janë kompetencat dhe financimi i KPM-së, procedurat zgjedhore dhe afatet e shërbimit për anëtarët e vet, si dhe proporcionaliteti i sanksioneve.

“Përkundër futjes së disa ndryshimeve thelbësore në fushën e rregullimit të medias, drafti aktual kërkon rishikime të mëtejshme për të përmirësuar qartësinë ligjore, proporcionalitetin dhe përputhshmërinë e mëtejshme me standardet e BE-së dhe të Këshillit të Europës”- thotë BE-ja.