25-vjetori i masakrës në burgun e Dubravës, Osmani e Kurti përkujtojnë të vrarët nga forcat serbe

Në 25-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeminstri Albin Kurti kanë përkujtuar civilët e vrarë shqiptarë, nga forcat paramilitare serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Të dhënat preliminare të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, tregojnë se 109 të burgosur janë vrarë apo zhdukur në burgun e Dubravës.

Kjo masakër ndodhi 25 vite më parë, prej 19-24.05.1999.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se kjo masakër shpërfaqi sikur edhe në shumë masakra të tjera gjithandej Kosovës, “egërsinë e pushtetit kriminal kundrejt të burgosurve shqiptarë të luftës dhe të burgosurve politik, të cilët padrejtësisht mbaheshin në burg.”

“Sot, bashkëndjejmë me të gjitha familjet që humbën anëtarët e tyre në këtë masakër, ndërkaq të mbijetuarit i inkurajojmë të vazhdojnë ta mbrojnë të vërtetën dhe të luftojnë për drejtësi. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to!”- thuhet mes tjerash në deklaratën e Osmanit.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe në nderim të të vrarëve në Dubravë.

Ai thotë se emrat e skalitur në memorialin e të vrarëve në këtë masakër, janë e vërteta dhe akuza më e fuqishme për masakrën e Dubravës.

“Shteti ynë, Republika e Kosovës, do të gjejë rrugë dhe mënyra, për të dëshmuar sërish e përsëri, sikur sot, sikur vitin e kaluar, sikur që e  kemi bërë gjatë këtyre 25 viteve, për të vënë drejtësi dhe për të vërtetën aq të rëndësishme të historisë, të sakrificës dhe të  qëndresës së popullit tonë”, ka thënë Kurti.

Tutje ai bashkëndjen me pjesëmarrësit në 25 vjetorin e Masakrës së Dubravës pasi që i njejti thotë se ka kaluar vetë në faza të arrestimit e të burgosjes.

“Këtu bëj pjesë dhe vetë unë, që bashkë me shumë prej jush që jeni sot këtu dhe me shumë të tjerë, u arrestova, u burgosa dhe u mbajta peng lufte, ndërkohë që edhe u gjykova në Nish në një proces politik nga autoritet e regjimit kriminal të Serbisë”- përfundoi Kurti.

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze e gjeni në LINK.