1 vit e gjysmë qeverisje, Kurti u kërkon ministrave raport ‘për 4-5 të arriturat’

Shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti tha se ka kërkuar nga ministrat e tij një raport me të arriturat gjatë një viti e gjysmë qeverisje.

Përveç të arriturave, Kurti tha se kërkoi nga drejtuesit e dikastereve të dërgojnë raport edhe mbi “të këqijat që i kemi ndalur”.

“Para se të vijmë në këtë konferencë për media, u vonuam sepse patëm një diskutim me ministrat që për javën e ardhshme, secili prej ministrave t’i sjellë 4 apo 5 të arriturat kryesore për një vit e gjysmë sepse më 22 shtator, nesër një javë, në ora 8:00 të darkës, bëhen një vit e gjysmë që Qeveria jonë është zgjedhë” – tha Kurti të mërkurën para gazetarëve.

“Por edhe në të njëjtën kohë u kam thënë që ta përmendin edhe 4 apo 5 të arriturat kryesore që janë të këqijat që i kemi ndalur. Disa të mira janë sepse janë ndaluar disa të mira por duhet të ketë të mira që s’janë fare në raport me të keqen. I kam kërkuar të dyjat këto”, deklaroi kryeministri Kurti.

Qeveria e Kosovës u votua më 22 mars 2021 në Kuvendin e Kosovës, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim.

Ekzekutivi që drejton Albin Kurti ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.