Raportimi i ministrit Çeku në komisionin parlamentar. Foto: KALLXO.com.

Ministri Çeku raporton në komisionin parlamentar, i kërkohet llogari për kontratat me procedurë të negociueshme

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka raportuar sot në Komisionin Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.

Para këtij komisioni, ministri Çeku ka raportuar lidhur me punën, prioritetet dhe sfidat MKRS-së.

Për dallim nga deputetët e pozitës që dhanë vlerësime pozitive, ata të opozitës i kërkuar llogari ministrit Çeku për kontrata që MKRS-ja ka lidhur me operatorë me procedurë të negociueshme, kryesisht për ndërhyrje në objektet e trashëgimisë kulturore.

Vërejtjet e deputetëve ishin se në listën e MKRS-së për ndërhyrje emergjente janë edhe objektet të cila nuk janë në rrezik emergjent.

Deputetja Vlora Dumoshi (LDK), anëtare e Komisionit të Parlamentar theksoi se gjatë mandatit të saj si ministre nuk i ishte lejuar që të lidhte kontrata të tilla.

“Janë katër kontrata me procedura të tilla, për objekte që nuk janë në rrezik, a lehonën të tilla, pasi gjatë kohës sa unë isha në krye të MKRS patëm kërkuar që të ma mundësohen lidhjen e kontratave me procedurë të negociueshme, por nuk na është lejuar edhe pse bëhej fjalë për ndërhyrje emergjente në objekte të trashëgimisë”-tha ajo.

Edhe deputetja Eliza Hoxha (PDK), anëtare e Komisionit Parlamentar, ngriti çështjen e lidhjes së kontratave me procedurë të negociueshme.

“E kuptoj se duhet ndërhyrje të tilla, por kur kalon në listën e 22 projekteve që kushtojnë më shumë se 3 milionë euro, ku ka projekte pa përshkrime, e që mendoj se duhet një raport për të arsyetuar ndërhyrjet emergjente, restaurimi dhe konservimi nuk janë masa emergjente “-tha deputetja Hoxha.

Por, ministri Çeku ka thënë se lidhja e këtyre kontratave është bërë në pajtim me ligjin dhe nuk brengoset edhe nëse i duhet të jap llogari për këto kontrata.

“Shumë më përpara do të doja të jepja llogari, sepse të pranoja shkatërrimin e një objekti të trashëgimisë”- tha Çeku.

Ai u tha deputetëve që nëse kanë dëshmi lidhur me ndonjë parregullsi në MKRS t’i drejtohen organeve përgjegjëse, ose t’ia sjellin atij që pastaj t’ i dërgojë në prokurori.

Gjatë raportimit të tij, Çeku ka folur edhe për planet e MKRS-së sa i përket strategjisë ligjore, projekteve infrastrukturore e financimit të skenës së pavarur kulturore.