Ambasadori i Palestinës në Mal të Zi: Ne kemi kërkuar armëpushim

Ambasadori i Palestinës në Mal të Zi, Rabi Alhantouli, ka thënë se nuk e di se ku i ka të afërmit e tij në Gaza.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, ka shtuar se forcat izraelite e kanë ndërprerë energjinë elektrike në Gaza dhe askush nuk mund të komunikojë me askënd atje.

“Unë as që kam mundësi që të telefonoj të afërmit e mi në Gazë, unë nuk mund të komunikoj fare me ta. Nuk e di se ku janë. Unë kam miq atje, kam të afërm. Por, unë nuk e di se ku janë. Ata e ndërprenë energjinë elektrike, e ndërprenë komunikimin, e ndërprenë internetin. Po ndodhin bombardime masive, kemi më shumë se 2,400 njerëz që janë nën rrënoja dhe kjo është një fatkeqësi që po ndodh në sy të të gjithëve.

Ai ka shtuar se po bëjnë thirrje për armëpushim dhe se kjo sipas tij duhet të bëhet menjëherë.

“Ne bëjmë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe kjo është ajo që duhet të zbatohet së pari dhe duhet të jetë veprim i menjëhershëm. Çështja e dytë është hapja e kufirit për ndihmën humanitare dhe kjo duhet të ndodh menjëherë. Dua të them, këtë nuk po e bëjmë vetëm ne, por po bëjmë thirrje për këtë te të gjitha organizatat ndërkombëtare të pranishme atje. UNICEF po e përshkruan Gazën si një varrezë e fëmijëve, UNICEF. E Organizata Botërore e Shëndetësisë po e cilëson situatën, gjendjen shëndetësore atje si katastrofike, sepse vetëm dy spitale janë ende duke punuar dhe mund të ndalojnë për orë të tëra sepse ata nuk kanë karburant për të vazhduar punën”, – shtoi ambasadori palestinez në Mal të Zi.

Ai ka thënë se Hamasi është pjesë e popullit palestinez dhe rezistenca ndaj pushtimit izraelit.

“Kur ka një pushtim, kur ndodh shtypja e njerëzve, gjëja normale është që të rezistosh.Dua të them që kjo çështje e terrorizmit, përkufizimi i terrorizmit, nuk ka përkufizim të përbashkët apo për të cilin jemi pajtuar të gjithë për terrorizmin, dhe në Palestinë, ne nuk kemi organizata terroriste. Ne kemi organizata, kemi lëvizje që luftojnë pushtimin izraelit dhe kjo është e drejta jonë sipas ligjit ndërkombëtar. Meqë ra fjala, Izraeli, si një fuqi pushtuese, nuk ka të drejtë të vetëmbrohet kundër popullit që është i shtypur, pra kundër njerëzve që është duke i shtypur”, – ka thënë tutje Alhantouli