Shitje e Lirë

Me vetëm dy ofertues të lënë në konkurrencë për 75 për qind të aksioneve të PTK-së, gjasat e Kosovës që të marrë një çmim të respektueshëm për këtë kompani me profit të madh duket të jenë shumë të ulëta. 

Në anën tjetër, ekzistojnë pyetje shqetësuese në lidhje me ofertuesit. M1, me pronësi të mëhershme të ish kryeministrit të Libanit, është e lidhur me dyshimet për ryshfet në rastin e një marrëveshje të telefonisë mobile në Iran. Axos Capital Partners, një firmë private gjermane që udhëheq një konzorcium të ofertuesve, po ashtu nuk duket të ketë përvojë në telekomunikim dhe nuk ka qenë transparente në lidhje me identitetin e aksionarëve.

Me pak fjalë, asnjëri pronar potencial nuk është në gjendje të mirë. 

Atëherë, pse të shitet PTK tani? 

Argumenti mbizotërues është se Kosova ka nevojë për para – qeveria ka folur për një shifër prej 300 milionë deri në 600 milionë euro që shpreson t’i marrë. Kohëve të fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se qeveria nuk do të jetë në gjendje të ndërtojë autostradën e re për Maqedoni nëse nuk e shet PTK-në. 

Argumenti i dytë kryesor është se PTK-ja është një dinozaur që po mbahet prapa nga një fuqi punëtore e fryrë, me keq-menaxhim të madh dhe me një infrastrukturë të vjetër. Pronari i ri mendohet se do t’i rregullojë këto probleme. 

Kjo përzierje ka shkaktuar histori shqetësuese në përpjekjet për privatizim. Tentimi i parë në vitin 2011 përfundoi në skandal, kur qeveria anuloi ofertën pasi një blerës potencial ishte larguar, Hrvatska Telecom. Edhe shitja aktuale bëhet me me probleme dhe vonesa. Ndër të tjera probleme ishte pjesëmarrja dhe tërheqja e fondeve investuese të një firme të Madeleine Albright-it. Pavarësisht kësaj, Qeveria është duke bërë përpjekje për ta çuar këtë sagë në fund dhe të lëvizë më tutje. 

Kosova ka nevojë për para, ndërsa e tërë shitja e pritshme ka qenë një turp i kushtueshëm – me rreth 4 milionë euro shpenzime deri më sot. 

Privatizimi mund të jetë përgjigja, por nuk është e vetmja. 

Ja vlen të konsiderohen edhe opsionet tjera, posaçërisht derisa PTK-ja vazhdon të gjenerojë profit të madh. Vitin e kaluar, 45 milionë euro i kanë shkuar buxhetit të Kosovës. 

Pse mos të shikohet opsioni i koncesionimit, sikurse në rastin e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, ku udhëheqja i besohet një kompanie private që po ashtu të investojë për një kohë të caktuar, me një hise të profitit që i shkon qeverisë? 

Ose, pse nuk shikohet edhe në shitjen e aksioneve në tregun e kapitalit ndërkombëtar? 

Ndoshta oferta publike e PTK-së tingëllon pak larg nga shitja e mirë, por poenta është se Kosova ka mënyra tjera për të fituar më shumë para nga telekomi i saj. 

Dhe nëse një privatizim klasik dëshmon të jetë opsioni më i mirë, Kosova mund ta bëjë së paku PTK-në që të jetë një produkt më tërheqës që do të tërheq një çmim më të lartë. 

Qeveria nuk e ka parë të arsyeshme për ta bërë këtë. 

Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, i njohur më herët si Autoriteti Rregullativ i Telekomit, në mënyrë të pashpjegueshme, nuk i ka lëshuar licencat 3 apo 4G, duke e lënë Kosovën si shtetin e vetëm në Europë që nuk ka shpejtësi të lartë të internetit mobil. Madje edhe Afganistani dhe Koreja Veriore kanë furnizuesit me 3G. 

Interneti mobil me shpejtësi të lartë mund të jetë një ndihmë në sektorin e telefonisë mobile. Në vitin 2011, PTK-ja pati thënë se ART-ja kishte injoruar kërkesat e saja për licencat 3G dhe 4G. Rregullatori i telekomit të shtetit nuk kishte dhënë shpjegime se pse nuk i kishte dhënë licencat. 

Vetëm kaq duket të jetë e mjaftueshme për tu thënë investitorëve që të rrinë larg. Fundja, kush dëshiron të investojë në një sektor të telekomit që gjendet në epokë të errët të teknologjisë?

Nuk ekziston një përgjigje e qartë për të ardhmen më të mirë të PTK-së. Por një tender me vetëm dy ofertues – edhe ata të diskutueshëm, nuk është çfarë kërkohet.