
Fotografi i botës shtazore, Blerim Gjoci, Foto: KALLXO.com
Jeta e fotografit Blerim Gjoci në 'dhomat e natyrës'
Përmes një aparati fotografik që në vetë mban një galeri jete të organizimit të botës shtazore, fotografi Blerim Gjoci pëlqen të eksplorojë vendet pak të njohura të vendit të tij. Për të është e rëndësishme që të rinjtë, veçanërisht, të mësojnë për pasurinë e rrezikuar të botës së egër të Kosovës.
Ai është gjithmonë në gjueti por jo me pushkë gjuetie. Me një çantë në shpinë dhe një fotoaparat në dorë duke gjurmuar jetën e egër në malet e Kosovës.
Fotografi 44-vjeçar nga qyteti i Gjakovës ka dokumentuar faunën në zonat malore të vendit, duke ndërmarrë ndonjëherë rreziqe për ta bërë këtë.
“Unë e dua shumë natyrën. Unë kam krijuar disa shtretër pemësh lëkundëse, të cilët i quaj ‘dhoma në natyrë’ dhe shpesh e kaloj natën në to” – ka thënë Gjoci.
Sipas tij, për të pasur sukses në natyrë duhet mënjanuar stresin.
“Vetëm stresin mos me marrë në natyrë, stresin më lënë në qytet edhe me u nis në natyrë” – pohoi ai.
Një studim i vitit 2018 i kryer nga USAID në lidhje me biodiversitetin e Kosovës arriti në përfundimin se shfrytëzimi i paligjshëm dhe i mbishfrytëzuar i specieve të bimëve dhe kafshëve të egra kërcënon disa nga bimët dhe kafshët e egra më të ndjeshme dhe më të rrezikuara të Kosovës.
“Ekziston edhe më pak informacion për numrin e llojeve të kafshëve, veçanërisht jovertebrorët. Në të kaluarën, shoqatat e gjuetisë kryen studime të popullsisë së kafshëve të egra, por që nga viti 1999, nuk janë bërë anketa të kafshëve të egra dhe nuk ka të dhëna të besueshme për speciet e kafshëve të egra dhe numrin e popullsisë” – thuhet në studimin e vitit 2018.
Ende në kërkim të rrëqebullit të pakapshëm
Shumë nga zogjtë dhe kafshët e rralla që jetojnë në malet e Kosovës janë kapur nga objektivi i Gjocit.
“Unë fotografoj drerët pothuajse çdo ditë, dhelprat gjithashtu. Kam incizimin e dhelprës duke ushqyer të vegjëlit që askush nuk ka arriturt të argumentojë, jam i pari edhe i asaj video është një video shumë e mirë janë dikund tetë të vegjël që ushqehen njëkohësisht” – tregoi Gjoci.
Disa prej mënyrave të jetesës së kafshëve që nuk janë parë më herët i ka arritur, dhe për të e pazakonshmja është misioni kryesor që e bën të marrë udhën për në natyrë.
“Në jetën e tyre ka gjëra të veçanta që mund t’i kapësh vetëm një herë; ju nuk keni një shans të dytë. Ndonjëherë fati është me ju, ndonjëherë jo. Por fati ka qenë me mua shumicën e kohës” – shtoi ai.
Ai e konsideron veten me fat që ka pasur rastin të kapë një moment kur një derr i egër po ndiqte një tufë ujqërish.
“Në këto raste fati më ka përcjellur kam pas fat t’i fotografoj një video që më lë shumë përshtypje, krejt fotografojnë ujkun duke ndjek derrin unë e kam incizuar derrin duke ndjekur ujqërit është një video shumë e mirë dhe e pa parë deri tani kam pasur fatin te fotografoj kunadhen e pishës” – shprehet ai.
Një video e një dhelpre që ushqen me gji tetë këlyshët e saj është gjithashtu ndër pikat që Gjoci ka mbërritur përmes ekspolorimeve të përditshme.
“Kam incizimin e dhelprës duke ushqyer të vegjëlit që askush nuk ka arritur të argumentojë, jam i pari edhe i asaj video është një video shumë e mirë janë dikund tetë të vegjël që ushqehen njëkohësisht”-theksoi ai.
Por ka gjëra që ai ende ëndërron t’i arrijë, prej të cilave mendon që do ta dokumentojë pasurinë që ka Kosova me diversitetin e botës shtazore.
“Qëllimi im kryesor është të fotografoj një rrëqebull. Kam kapur një por ishte gjatë natës… Shpresoj ta marr një të tillë në dritën e ditës së shpejti” – thotë Gjoci për një nga speciet e rralla të maceve që rrezikohet nga gjuetia e paligjshme.
Në janar të vitit 2019, policia njoftoi arrestimin e një burri në fshatin Varosh në Komunën e Ferizajit pas një postimi në Facebook që ai e kishte publikuar vetë, duke treguar me detaje gjuetinë dhe vrasjen e një rrëqebulli në dhjetorin e kaluar.
Që nga viti 2004, rrëqebulli i Ballkanit, një nënspecie unike e rrëqebullit euroaziatik, është regjistruar lart në Bashkimin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës, IUCN, Listën e Kuqe si një specie e rrezikuar.
Ndërsa vlerësohet të ketë rreth 50 rrëqebuj në rajon, të shtrirë në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, kamerat e vendosura në parkun kombëtar Bjeshkët e Nemuna në Kosovë kanë identifikuar vetëm dy të tilla në Kosovë.
Gjoci thotë se gjuetia ilegale në Kosovë tani nuk është në shkallën e mëparshme dhe kjo ka ndryshuar sjelljen e kafshëve të egra ndaj njerëzve.
“Tani kafshët janë zbutur, nuk është si më parë. Kjo ka ndodhur për shkak të ndalimit të gjuetisë së paligjshme, gjuetia vazhdon ende, por jo në të njëjtat përmasa si më parë” – u shpreh Gjoci.
Për çdo rast, Gjoci tregoi se është i përgatitur të përballet me kërcënimet dhe rreziqet. “Unë kam një armë shumë të fortë” – thotë ai duke buzëqeshur – duke treguar filikaqën e varur në krahun e djathtë.
“Në rast rreziku, unë vetëm fishkëlloj. Kam pasur shumë raste kur kam pasur nevojë ta përdor për të parandaluar rrezikun” – shtoi ai.
“Situata më e rrezikshme është kur i afrohesh një ariu me këlyshët e tij. Ariu nuk ju fal në një situatë të tillë. Nuk jam përballur kurrë me një situatë të tillë, por duhet të jem i kujdesshëm sepse mund të ndodhë vetëm një herë” – shton ai.
Ai mban me vete edhe çantën e ndihmës së parë, në rast se lëndohet, kryesisht për shkak të terrenit të rrëshqitshëm në të cilin duhet të ecë shpesh.
Nevoja për të rritur ndërgjegjësimin tek të rinjtë
Dimri është stina e preferuar e Blerimit për të ndërmarrë aventurat e tij, pasi që më parë ka qenë bjeshkëtar dhe kjo shkathtësi atij i ka hapur një rrugë të dytë për të zhvilluar qëllimin e eksplorimit të botës së egër.
“Njëkohësisht fati im është që unë jam marrë me alpinizëm ia di sëmundjen bjeshkës, natyrës, fuqinë edhe nuk e kam shumë problem me hy aty në ato vende ku nuk mundet kush të futet pa pajisje” – bëri të ditur ai.
Ndërsa tregon që nisjen e bën të kohë të rrezikshme kur të gjithë kthehen prej bjeshkës.
“Unë nisem për në mal në një kohë kur të gjithë kthehen prej aty” – tha ai.
Rrezikun më të madh e sheh prej ortekëve të borës të cilët mund ta zënë në bjeshkë.
“Rreziku më i madhi është prej ortekëve ka ndonjë rast me pas ndonjë ortek sidomos në Bjeshkët e Gjeravicës” – u shpreh Gjoci.
Por në situata të tilla nuk niset vetëm, zakonisht shkojnë dy ose tre persona.
“Zakonisht, janë tre persona në ekspeditat tona. Ne kemi një thënie: “Një është shumë pak, dy janë shumë, për malet mjaftojnë tre” – thotë ai.
Gjoci bëri të ditur se gjurmimi i kafshëve të egra nuk është një detyrë e lehtë. Por pasioni dhe dëshira janë të parat.
“Kur je në pyje, ke adrenalinë dhe nuk ke frikë nga asgjë, edhe pse kur kthehesh në shtëpi thua: “Uaa, si e bëra këtë?” Megjithatë, të nesërmen je sërish i njëjti, ti, vazhdon të njëjtën rrugë” – shtoi ai.
Përveç terrenit të hapur, Gjocit i pëlqen të kalojë kohë duke eksploruar shpellat në Bjeshkët e Nemuna dhe Rrasë të Zogut, afër kufirit me Shqipërinë.
“Kam eksploruar 11 shpella te Rrasa e Zogut. Është një shpellë tjetër, emrin e së cilës nuk e di, por e di vendndodhjen e saj dhe kam hyrë në të” – tregoi ai.
Në malet perëndimore të Junikut, ekzistonte një shpellë që e shtyu të mendohej dy herë para se ta eksploronte.
“Në Junik është një shpellë shumë interesante. Por brenda, gjeta gjurmë ariu dhe u tërhoqa për arsye sigurie”- u shpreh ai.
Krahas aktiviteteve të tij në pyje, Gjoci së fundmi është angazhuar edhe me nxënës të shkollës në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin e tyre për rëndësinë e natyrës dhe kafshëve të egra. Disa nga të rinjtë që marrin pjesë në fjalimet e tij i bashkohen në aventurat në natyrë.
Por ajo që sheh tek të rinjtë është shqetësuese, sepse njohuritë e tyre për këtë çështje janë të pakta.
“Fëmijët janë shumë të dobët të informuar për jetën e egër në vendin tonë. Kjo është për të ardhur keq. Ne po mundohemi të rrisim ndërgjegjësimin e tyre. Ata e duan natyrën, por kanë nevojë për më shumë ndërgjegjësim për jetën e egër” – bëri të ditur ai.
Gjoci pohon se për sa kohë që njerëzit sillen në mënyrë miqësore me kafshët, ata mund të presin të njëjtën gjë në këmbim edhe pse asnjëherë nuk mund të jemi të sigurt.
“Nuk kam qenë kurrë në rrezik të drejtpërdrejtë nga kafshët e egra. Shumë herë kemi pas rast, se kur të del prej natyrës me një vend ku ekspozohesh më tepër aty e ke rrezikun pak më të madh ashtu e shohim, sidomos në kohën e ariut kur është me të vegjël ajo aty në ato momente nuk fal edhe pse nuk kam pas ndonjë rast që ai të më ndjek mua kurrë por e di që ndodh ajo njëherë nuk ndodh dy herë kurrë” – pohoi Gjoci.
Në një rast shumë të ndjeshëm, disa vite më parë, ai kujton se teksa ecte në malet e Gjeravicës me të birin, ka parë një arush vetëm 25 metra larg.
“E ndjeva rrezikun, edhe pse nuk kishte asnjë shenjë sulmi nga ariu. Por kisha frikë sepse djali im ishte vetëm katër vjeç” – kujton ai.
Për kafshët thotë se rrezikohen nga ne dhe jo ne nga kafshët.
Artikulli fillimisht është publikuar në Ballkan Insight.