Reportazh nga Afganistani: I drogojmë fëmijët tanë të uritur për t'i vënë në gjumë sa më lehtë

Afganët po u japin fëmijëve të tyre të uritur ilaçe për t’i qetësuar – të tjerët i kanë shitur vajzat dhe organet e tyre për të mbijetuar.

Në dimrin e dytë, që kur talebanët morën pushtetin në Afganistan, dhe që kur fondet e huaja u ngrinë, miliona afganë janë një hap larg urisë.

“Fëmijët tanë vazhdojnë të qajnë dhe ata nuk flenë. Ne nuk kemi ushqim”- tha Abdul Uahab.

“Kështu që shkojmë në farmaci, marrim tableta dhe ua japim fëmijëve tanë që të ndihen të përgjumur”.

Ai jeton pak jashtë Heratit, qyteti i tretë më i madh i vendit, në një vendbanim me mijëra shtëpi të vogla të ndërtuara prej balte që është rritur gjatë dekadave, të mbushura me njerëz të zhvendosur dhe të goditur nga lufta dhe fatkeqësitë natyrore.

Abdul është mes një grupi prej gati një duzinë burrash që u mblodhën rreth nesh. Ne pyetëm se sa prej tyre u japin drogë fëmijëve të tyre për t’i qetësuar.

“Shumë prej nesh, të gjithë ne”- u përgjigjën ata.

Ghulam Hazrat nxori një rrip pllakash nga xhepi i tij. Ato ishin alprazolam – qetësues që zakonisht përshkruheshin për t’i trajtuar çrregullimet e ankthit.

Ghulam ka gjashtë fëmijë, më i vogli një vjeç. “Madje edhe atij të voglit ia jap”- thotë ai.

Të tjerë na treguan shirita me tableta escitalopram dhe sertraline që thanë se ua japin fëmijëve të tyre. Ato zakonisht përshkruhen për ta trajtuar depresionin dhe ankthin.

Mjekët thonë se kur u jepen fëmijëve të vegjël që nuk ushqehen si duhet, ilaçe të tilla mund të shkaktojnë dëmtim të mëlçisë, së bashku me një sërë problemesh të tjera, të tilla si lodhja kronike, gjumi dhe çrregullime të sjelljes.

Në një farmaci lokale, zbuluam se mund të blini pesë tableta të barnave që përdoren për 10 afganë (rreth 10 cent amerikan), ose çmimin e një copë buke.

Shumica e familjeve që takuam po ndanin disa copa bukë mes tyre çdo ditë. Një grua na tha se hanin bukë thatë në mëngjes dhe natën e lagnin atë copë buke.

OKB-ja ka dale me një deklaratë zyrtare përmes së cilë thotë se një “katastrofë” humanitare po shpaloset aktualisht në Afganistan.

Shumica e burrave në zonën jashtë Heratit punojnë si punëtorë me rrogë ditore. Ata kanë vite që bëjnë jetë të vështirë.

Por kur talebanët morën pushtetin gushtin e kaluar, pa asnjë njohje ndërkombëtare për qeverinë e re de-facto, fondet e huaja që hynin në Afganistan u stopuan, duke shkaktuar një kolaps ekonomik që i la burrat afganë pa punë në shumicën e ditëve.

Në një ditë të rrallë, ata gjejnë punë, fitojnë afërsisht 100 afganë, ose pak më shumë se 1 dollarë.

Kudo që shkuam, gjetëm njerëz që detyroheshin të merrnin hapa ekstremë për t’i shpëtuar familjet e tyre nga uria.

Ammar (jo emri i tij i vërtetë) tha se pati një ndërhyrje kirurgjike për ta hequr veshkën e tij tre muaj më parë dhe na tregoi një vrragë 22 centimetërshe – shenjat e qepjeve ende pak rozë – që kalonin nëpër barkun e tij nga pjesa e përparme e trupit deri tek pjesa e prapme.

Ai është në të njëzetat e tij, në atë që duhet të ishte kulmi i jetës së tij. E kemi fshehur identitetin e tij për ta mbrojtur atë.

“Nuk kishte rrugëdalje. Kisha dëgjuar se mund të shisje një veshkë në një spital lokal. Shkova atje dhe u thashë se doja. Disa javë më vonë mora një telefonatë që më kërkoi të shkoja në spital”- tha ai.

“Ata bënë disa analiza, më pas më injektuan diçka që më bëri të pavetëdijshëm. Isha i frikësuar por nuk kisha zgjidhje tjetër”.

Heqja e veshkës Ammarit iu pagua rreth 270,000 afganë (3,100 dollarë), shumica e të cilave shkuan për t’i shlyer paratë që ai kishte marrë hua për të blerë ushqim për familjen e tij.

“Nëse hamë një natë, nuk hamë natën tjetër. Pas shitjes së veshkës, ndihem sikur jam gjysmë njeriu. Ndihem i pashpresë. Nëse jeta vazhdon kështu, ndjej se mund të vdes”- thotë ai.

Shitja e organeve për para nuk është e diçka që nuk dëgjohet në Afganistan. Dikur, kjo dukuri ndodhte edhe para pushtimit të talebanëve. Por tani, edhe pasi kanë bërë një zgjedhje kaq të dhimbshme, njerëzit po zbulojnë se ende nuk mund t’i gjejnë mjetet për të mbijetuar.

Në një shtëpi të zhveshur dhe të ftohtë takuam një nënë të re e cila tha se ka shitur veshkën e saj shtatë muaj më parë. Ata gjithashtu duhej të paguanin borxhin – para që kishin marrë hua për të blerë një tufë delesh. Kafshët kanë ngordhur në një përmbytje disa vite më parë dhe kanë humbur mjetet për ta siguruar jetesën.

Ajo shton se 240,000 afganët (2,700 dollarë) që mori për veshkën nuk mjaftojnë.

“Tani po detyrohemi ta shesim vajzën tonë dyvjeçare. Njerëzit nga të cilët kemi marrë hua na ngacmojnë çdo ditë duke na thënë ‘na jep vajzën tënde nëse nuk na e kthen dot borxhin’”- tha ajo.

“Ndihem shumë e turpëruar për situatën tonë. Ndonjëherë ndjej se është më mirë të vdes sesa të jetoj kështu”- thotë bashkëshorti i saj.

Me dhjetëra herë, dëgjum për njerëz që i shesin vajzat e tyre.

“Unë e shita vajzën time pesëvjeçare për 100,000 afganë”- thotë Nizamuddin. Kjo është më pak se gjysma e asaj që merr shitja e një veshke, teksa kafshonte buzën dhe sytë iu mbushën me lot.

Dinjiteti me të cilin jetonin njerëzit këtu është thyer nga uria.

“Ne e kuptojmë se është kundër ligjeve islame dhe se po i vëmë jetën e fëmijëve tanë në rrezik, por nuk ka rrugë tjetër”- thotë Abdul Ghafar, një nga udhëheqësit e komunitetit.

Në një shtëpi takuam Nazia-n katërvjeçare, një vajzë e vogël plot gaz e cila bënte fytyra qesharake teksa luante me vëllain e saj 18 muajsh Shamshullah.

“Nuk kemi para për të blerë ushqime, kështu që unë e dhashë njoftimin në xhaminë lokale se dua të shes vajzën time”- thotë babai i saj Hazratullah.

Nazia është shitur për t’u martuar me një djalë nga një familje në provincën jugore të Kandaharit. Në moshën 14 vjeçare, ajo do të largohet. Deri më tani Hazretullahi ka marrë dy pagesa për të.

“Unë e përdora pjesën më të madhe për të blerë ushqime dhe disa për ilaçe për djalin tim më të vogël. Shikojeni, ai është i kequshqyer”- thotë Hazretullah, duke tërhequr këmishën e Shamsullahut për të na treguar barkun e tij të fryrë.

Rritja marramendëse e normave të kequshqyerjes është dëshmi e ndikimit që uria tashmë ka te fëmijët nën moshën pesë vjeçare në Afganistan.

Médecins Sans Frontières (MSF) ka parë që shkalla e pranimeve në objektet e tyre që e trajtojnë kequshqyerjen në të gjithë Afganistanin është rritur me 47% këtë vit krahasuar me të kaluarën.

Qendra e të ushqyerit të MSF në Herat është e vetmja strukturë e pajisur mirë për kequshqyerjen që kujdeset jo vetëm për Heratin, por edhe për provincat fqinje të Ghor dhe Badghis, ku normat e kequshqyerjes janë rritur me 55% gjatë vitit të kaluar.

Që nga viti i kaluar, ata e kanë rritur numrin e shtretërve në dispizicion për ta përballuar numrin e fëmijëve të sëmurë që duhet ta pranojnë. Megjithatë, edhe kështu, objekti është pothuajse gjithmonë më se i mbushur. Gjithnjë e më shumë fëmijë që vijnë, duhet të trajtohen për më shumë se një sëmundje.

Omidi është i kequshqyer dhe ka hernie dhe sepsë. Me 14 muaj, ai peshon vetëm 4 kg. Mjekët na thanë se një fëmijë normal në atë moshë do të duhej peshonte të paktën 6.6 kg. Nënës së tij Aamna iu desh të merrte para hua për ta bërë udhëtimin për në spital kur ai filloi të vjellte shumë.

Ne e pyetëm Hameedullah Motaëakil, zëdhënës i qeverisë provinciale të Talibanëve në Herat, se çfarë po bënin për ta luftuar urinë.

“Situata është rezultat i sanksioneve ndërkombëtare mbi Afganistanin dhe ngrirjes së aseteve afgane. Qeveria jonë po përpiqet të identifikojë sa prej tyre janë në nevojë. Shumë gënjejnë për kushtet e tyre sepse mendojnë se mund të marrin ndihmë”- tha ai. Është një qëndrim me të cilin ai vazhdoi pavarësisht se u tha se ne kemi parë prova të forta se sa e keqe është situata.

Ai tha gjithashtu se talebanët po përpiqen të krijojnë vende pune. “Ne po kërkojmë hapjen e minierave të mineralit të hekurit dhe një projekt gazsjellësi”.

Nuk ka gjasa që kjo të ndodhë së shpejti.

Njerëzit na thanë se ndihen të braktisur nga qeveria talebane dhe komuniteti ndërkombëtar.

Uria është një vrasës i ngadaltë dhe i heshtur dhe efektet e saj nuk janë gjithmonë të dukshme menjëherë./BBC

Përgatiti: Nuhi Shala