Foto iliustruese e motorit të një Mercedesi E Class të ngjashëm me atë në artikull | Burimi Wikimedia

Mercedesi i Kryetarit Muja i Kushton Shtrenjtë Komunës së Prizrenit

Një faturë e shtrenjtë e riparimit të veturës Mercedes Benz të kryetarit të Komunë së Prizrenit, Ramadan Muja, ka zemëruar opozitën dhe ka nxitur kritika.

Gjithashtu, komuna është kritikuar edhe nga shoqëria civile për shpenzimet e larta për riparim veturash, karburant dhe kosto të tjera që lidhen me transportin.

Komuna e Prizrenit, më 8 shkurt 2016 ka përgatitur njoftimin për servisimin dhe riparimin e autoveturës Mercedes Benz, e cila është në shfrytëzim të kryetarit Muja.

Për këtë njoftim kanë aplikuar tre kompani, prej të cilëve kishte fituar kompania me çmimin më të ulët, e shpallur si operator i përgjegjshëm ekonomik, që kap vlerën prej 2 mijë 648 euro [dokumenti këtu: Servisimi-dhe-riparimi-i-autovetures-Mercedes-benz WM]

Këshilltarja komunale nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka reaguar ndaj këtij tenderi me arsyetimin se qytetarët po paguajnë për luksin e kryetarit Muja dhe zyrtarëve komunalë të Prizrenit.

“Luksi i Ramadan Mujës është shumë i lartë… Përpos shpenzimeve të karburanteve që i ka tejet enorme, një shpenzim tejet të lartë e konsiderojmë edhe në riparimin e automjeteve të komunës”, tha Millaku për Gazetën JNK.

Millaku tha se Mercedesi i Ramadan Mujës është shumë i kushtueshëm andaj edhe për riparimin e tij duhen shumë mjete financiare.

“Në fakt ne gjithmonë e kemi kundërshtuar mënyrën e shpenzimeve të buxhetit të komunës”, tha ajo.

Millaku thotë se gjendja e rëndë e qytetarit të Komunës së Prizrenit nuk do të ishte në disponim të paguajë shuma kaq të larta për riparim veturash, të cilat po i servon komuna e Prizrenit pa llogaritur fare gjendjen e qytetarit.

“Ky kundërshtim i yni po vërtetohet kur shpenzimet bëhen përmes kontratave dhe disi pa fije turpi na arsyetojnë riparimin me këtë vlerë” tha Millaku.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja | Foto: KALLXO.com
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja | Foto: KALLXO.com

Qindra mijë euro për transport

Organizatat joqeveritare, po ashtu, kanë kritikuar Komunën e Prizrenit për shpenzime të fryra transporti.

Naim Cahani nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e cila bën monitorimin e shpenzimeve të parasë publike nga komunat, thotë se në vazhdimësi kanë kritikuar qasjen e shpenzimeve të mëdha në disa kategori buxhetore, duke përfshirë edhe kategorinë e shpenzimeve për mirëmbajtjen e veturave.

Ai i tha Gazetës JNK se në total, për tri vitet e fundit, komuna e Prizrenit ka shpenzuar mbi 154 mijë euro për kategorinë e shpenzimeve të mirëmbajtjes/servisimit të veturave.

Sipas KDI-së, vetëm në vitin e fundit në këtë kategori buxhetore janë shpenzuar mbi 51 mijë euro, që shënon edhe shpenzimet më të mëdha në tri vitet e fundit në këtë kategori buxhetore.

“Pra, për çdo ditë të vitit kalendarik, qytetarëve prizrenas i janë shpenzuar nga 77 euro në ditë”, tha Cahani.

Cahani, thotë se pos në servisim të veturave, komuna e Prizrenit, në dy vitet e fundit ka shpenzuar në blerjen e veturave zyrtare në vlerë prej 120 mijë e 655 euro duke përfshirë blerjen e një xhipi dhe kombi-busi.

Komuna e Prizrenit nuk pranoi të tregonte sa ka kushtuar Mercedesi i kryetarit

“Vetëm në vitin 2015 komuna ka shpenzuar hiç më pak se 59,676 euro në këtë kategori buxhetore. Edhe po blejnë vetura te reja, edhe po prishen”, tha ai.

Drejtori i Administratës Publike në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj, njoftoi se kjo kontratë nuk është kontratë vjetore, por është një servisim i veturës së kryetarit.

“Kontrata është nënshkruar dhe mbulon një herë servisin e kerrit të kryetarit. Ky lloj servisimi nuk është bërë asnjëherë që nga blerja e kerrit”, tha drejtori Baldedaj.

Baldedaj, po ashtu tha se gjatë vitit 2015 nuk ka pasur servisim të veturës së kryetarit, ndërsa nuk ktheu përgjigje në pyetjen se sa është vlera e blerjes së veturës së kryetarit Muja.

“Këto analiza nuk i bëjmë ne”, tha Baldedaj.

Karburanti i kushton shtrenjtë komunës

Pos shpenzimeve të konsiderueshme në mirëmbajtjen e veturave, komuna e Prizrenit në vazhdimësi është kritikuar edhe për shpenzimet e larta për karburant të veturave.

Sipas Cahanit, në tri vitet e fundit komuna e Prizrenit ka shpenzuar 337,744 euro për derivate.

“Në këtë kategori buxhetore kemi ulje nga viti në vit si rezultat i presionit të vazhdueshëm nga monitoruesit e organizatave joqeveritare për uljen e shpenzimeve në këtë kategori”, shpjegoi ai.

Komuna e Prizrenit ka shpenzime më të mëdha për karburant nga sa deklarojnë zyrtarët e saj | Foto: Public Domain Pictures
Komuna e Prizrenit ka shpenzime më të mëdha për karburant nga sa deklarojnë zyrtarët e saj | Foto: Public Domain Pictures

Cahani tha se në vitin 2015 komuna e Prizrenit ka shpenzuar më pak, rreth 91 mijë euro për karburante.

Drejtori i Administratës Komunale në Prizren, Ilir Baldedaj, tha se shpenzimet e derivative për vitin 2015 janë minimale.

“Shpenzimet në derivate janë minimale, gjatë tërë vitit 2015 janë shpenzuar 39.010 litra dhe për këtë sasi nafte janë kaluar 4.17.352 km mesatarja e shpenzime është 9.24 për automjet”, tha Baldedaj.

Sipas kësaj deklarate të drejtorit, rezulton që komuna të mos ketë shpenzuar më shumë se 40 mijë euro për karburant gjatë vitit 2015, çka nuk përkon me vlerësimin e KDI-së.

Por, në vetë raportin e Komunës së Prizrenit “Realizimi i Buxhetit Komunal 2015”, në faqen 21 kodi 13780, thuhet se sasia e karburantit për vetura i ka kushtuar komunës 91.985.31 euro.

Cahani thotë se teprimet financiare të komunës së Prizrenit duhet të ndalen duke marrë parasysh standardin e ultë jetësor të banorëve të komunës së Prizrenit si dhe gjendjen financiare të këtij rajoni.

“Njëkohësisht, ekzekutivi komunal i Prizrenit duhet të shtojë kontrollet dhe të kërkojë përgjegjshmëri maksimale tek stafi përdorues i veturave si dhe në personat përgjegjës dhe mbikëqyrës të kontratës për mirëmbajtjen/servisimin e veturave”.