Të Pafajshëm të Akuzuarit për Tenderin e Barnave

Gjashtë vjet pasi kishte ndodhur rasti për të cilin akuzoheshin, Ekrem Maliqi, Berat Marmullaku, Bekim Fusha dhe Hajrullah Fejza dëgjuan kryetaren e trupit gjykues teksa lexoi aktgjykimin me të cilin u shpallën të pafajshëm.

Maliqi, Fusha, Marmullaku e Fejza akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me një tender të Ministrisë së Shëndetësisë për furnizim me barna nga lista esenciale.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës  thuhej se gjatë vlerësimit të tenderit, furnizim me barna nga lista esenciale e Ministrisë së Shëndetësisë kanë rekomanduar si kompani fituese një kompani e cila nuk i ka plotësuar kriteret e tenderit, sepse ne dosjet  të tenderit nuk ka dorëzuar autorizimin e prodhuesit -Zyra Regjionale Slloveni.

Prokuroria pretendonte se ky rast ka ndodhur më 7  dhjetor 2010.

Të gjitha këto pretendime të prokurorisë sot u hodhën poshtë, pasi trupi gjykues nuk gjeti prova kundër të akuzuarve.

Këtë e tha edhe Besnik Jakupi avokat i Ekrem Maliqit për KALLXO.com pas përfundimit të seancës.

“ Sot gjykata e shpalli aktgjykimin ndaj të mbrojturit tim. Gjykata mori aktgjykim lirues për shkak se nuk ka gjetur prova se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale,” tha avokati Jakupi.

Jakupi tha se të akuzuarit e këtij procesi kishin pasur pasoja të mëdha.

“Në këtë proces ka filluar nga viti 2010, ndërsa aktakuza është ngritur në vitin 2014, ndërsa sot ka përfunduar me aktgjykim të gjykatës. Konsiderojmë se klienti im dhe të tjerët kanë pasë pasoja shumë të mëdha juridike dhe padyshim edhe shqetësime dhe u ka paraqitur në mënyrë të vazhdueshme pengesë edhe në punë, edhe në aktivitete tjera,” tha  Jakupi për KALLXO.com

Jakupi më tej paralajmëroi se i gjithë ky proces nuk do të përfundojë me fitimin e pafajësisë, por do të vazhdojë edhe më tej.

“Ne padyshim se do t’i drejtohemi gjykatës me padi për kompensim dëmi,” tha Jakupi.

Katër të akuzuarit më parë gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën me të cilën ngarkoheshin. [interaction id=”56daa6f54ab46a01037d62cd”]