Bakir Izetbegovic (i treti nga e majta) të premten në Novi Pazar, - Foto: Anadolu

Nga Serbia Thirrje për Unitet të Boshnjakëve

Politikanë të Partisë për Veprim Demokratik (SDA) dhe të partive simotra në Serbi, Kosovë, Maqedoni dhe Kroaci, si dhe anëtarë të Partisë Boshnjake të Malit të Zi, janë takuar në qytetin jugor të Serbisë Novi Pazar të premten për të inkurajuar unitetin e boshnjakëve gjithandej Ballkanit.

“Boshnjakët janë bërë aktor politik pa të cilët është e pamundur që dikush të bëjë ndonjë lloj kalkulimi për të ardhmen e Ballkanit”, tha në takim anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjës, Bakir Izetbegovic, i cili është edhe kryetar i SDA-së boshnjake.

Ai tha se boshnjakët e kanë mbrojtur të drejtën e tyre për ekzistencë, emër e gjuhë por se ka mbetur edhe shumë punë për t’u bërë për të zgjidhur çështjet e hapura për boshnjakët në ish-Jugosllavi.

Takimi i Novi Pazarit shënoi 26-vjetorin e themelimit të degës lokale të SDA-së në rajonin e Sanxhakut, në jug të Serbisë. Kjo parti ishte themeluar këtu më 29 korrik 1990.

Izetbegovic tregoi se kjo ishte hera e parë që po bënte vizitë zyrtare në qytetin e banuar kryesisht me boshnjakë. “E kam vizituar Beogradin disa herë në të kaluarën, por kjo është hera e parë që vij në Novi Pazar”, nënvizoi Izetbegovic.

Përpara udhëtimit të tij, mediat serbe kritikuan vendimin e tij për të organizuar vizitën pa i informuar paraprakisht autoritetet në Beograd.

Mirëpo, Izetbegovic tha se nuk ka “kurrgjë problematike” në këtë vizitë.

“Ne të gjithë e kemi parë që presidenti dhe kryeministri i Serbisë, Tomislav Nikolic dhe Aleksandar Vucic, kanë vizituar shpesh Banja Llukën dhe Trebinjën (në Bosnjë) dhe ne nuk i kemi konsideruar vendimet e tyre si anashkalim të autoriteteve të Sarajevës. Edhe këtu është e njëjta gjë“, theksoi ai.

Izetbegovic e filloi vizitën e tij në Novi Pazar me kryesimin e një takimi të partive simotra të SDA-së nga Sanxhaku, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kroacia.

Gjatë kësaj seance, trupi koordinues i SDA-së miratoi një deklaratë mbi qëllimet e përbashkëta për degë të ndryshme të partisë, ndër të cilat ishin integrimi në BE dhe NATO, si dhe bashkëpunimi rajonal i bazuar në marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe respekt të ndërsjellë.

Po ashtu, ai mori pjesë në një seancë ceremoniale të Këshillit Kombëtar Boshnjak (BNV), një organ përfaqësues i pakicës boshnjake në Serbi, i cili qe themeluar më 1991.

Seanca u ndoq nga kryetari i Komunës së Novi Pazarit, Nihat Bishevac, kryetarët e komunave tët Tutinit dhe Sjenicës, Shemsudin Kucevic dhe Hazbo Mujovic, dhe nga anëtarët boshnjakë të Parlamentit serb.

Ndërsa, i pranishëm nuk ishte ish-muftiu kontrovers i Sanxhakut, Muamer Zukorlic.