Komuna e Shtimes
'Ndriçohet' Shtimja
Komuna e Shtimes ka përuruar projektin për ndriçim publik në kuadër të Programit të Bashkimit Evropian për Stabilizimin e Komuniteteve të cilin po e zbaton Organizata Ndërkombëtare për Migrim.
Shtyllat e ndriçimit janë vendosur në rrugën “Skender Qarri”, “Shote Galica” dhe “Shaqir Tërshani”.
Për projektin e ndriçimit BE-ja ka dhënë 7900 euro, ndërsa Komuna e Shtimes 3400.
Për projektin ka aplikuar Zyra për Komunitete e Kthim në Komunën e Shtimes së bashku me Drejtorinë për Urbanizëm, Kadastër e Gjeodezi.
“Për këtë projekt të IOM-it ka aplikuar Zyra Komunale për Komunitete dhe Kthim, në bashkëpunim me DPUKGJ-në, e cila edhe ka hartuar paramasën dhe parallogarinë për projektin,” thuhet në njoftimin e komunës.
Sipas komunikatës, Miftar Miftari, zyrtar i teknologjisë informative dhe mbikëqyrës i këtij projekti ka konstatuar se punët janë kryer në mënyrë efikase nga kontraktori SH.P.K “F-Kod Construction” nga Prishtina.
Projekti synon përmirësimin e jetës së komuniteteve joshumicë në Kosovë për ta bërë reintegrimin e qëndrueshëm të tyre.