Vjedhja e mbrojtëseve anësore në autostradë, arrestohet i dyshuari

Orët e para të mëngjesit të sotëm policia ka arrestuar një person të dyshuar për vjedhjen e mbrojtëseve anësore në autostradë.

Policia ka njoftuar se sot rreth orës 03:45 kanë vërejtur një automjet të dyshimtë, me ç ‘rast kanë ndaluar të dyshuarin për vjedhje të mbrojtëseve anësore të autostradës “Dr. Ibrahim Rugova”.

I njëjti është arrestuar nga njësia patrulluese ku është konfiskuar si dëshmi  edhe furgoni.

“Vlen të theksohet se në vend të ngjarjes janë gjetur 88 copa të metalit, ku 61 prej tyre i kishte pasur të ngarkuara në furgon ndërsa të tjerat ishin në ngarkim e sipër (të bashkangjitur keni edhe fotot e këtij rasti)”, ka thënë policia.

Po ashtu policia ka treguar se dy ditë më parë ka pranuar informata nga kompania për mirëmbajtje për një vjedhje të njëjtë në të njëjtin lokacion, ku edhe është hapur rast për vjedhje dhe i njëjti është iniciuar për hetime të mëtejme.

“Policia e Kosovës vazhdon me realizimin e detyrave konkrete dhe identifikimin e kryerësve të veprave penale dhe atyre të cilët shkaktojnë kundërvajtje, në veçanti mbetemi të përkushtuar në luftimin e të gjitha veprimtarive të kundërligjshme të cilat në një formë apo tjetër rrezikojnë sigurinë e përgjithshme të qytetarëve tanë, duke përfshirë edhe sigurinë rrugore”, thuhet në njoftimin e policisë.