Kryeprokurori i Mitrovicës: Nuk ka informacione se si kanë hyrë vaksinat nga Serbia

Në një intervistë për emisionin KallxoPernime, kryeprokurori i Mitrovicës Ismet Ujkani ka folur për vaksinat kundër virusit COVID19, të cilat kanë ardhur nga Serbia.

Ai ka thënë se akoma nuk ka informacione se si kanë hyrë ato vaksina dhe kush i ka sjellë në Kosovë, mirëpo janë duke u ndërmarrë veprime hetimore.

“Deri më tani nuk ka informacione se si kanë hyrë dhe kush i ka sjellë, mirëpo janë intervistuar disa persona”, tha Ujkani.

Ai shtoi se Drejtoria e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës është autorizuar që të hetoj dhe rasti po vazhdon të hetohet.

“Kemi ndërmarrë veprime hetimore. Është autorizuar Policia e Kosovës me autorizim të kryeprokurorit dhe kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore e meqë rasti është duke u hetuar s’mund të japim informacione”, shtoi kryeprokurori.

Sipas tij hetimet e ndërmarra nga Prokuroria dhe Policia deri më tani do të shërbejnë si parandalim i përsëritjes së këtyre veprimeve.

“Konsideroj se kjo ka qenë preventivë pasi janë ndërmarrë veprime të caktuara dhe pasi të identifikohen personat e caktuar do të ndërmerren veprime ligjore ndaj tyre”, tha Ujkani.

Gjatë emisionit kryeprokurori u pyet edhe nëse është në dijeni se kush e kontrollon kontrabandën në veriun e vendit.

Për këtë çështje, Prokurori deklaroi se nuk është në dijeni se kush udhëheq me kontrabandën, mirëpo sipas tij personat që janë zënë janë akuzuar dhe dënuar.

Ismet Ujkani u zgjodh kryeprokuror i ri i Mitrovicës në dhjetor të vitit 2020.

Ai u emërua në pozitën e kreut të prokurorisë në Mitrovicë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe nuk kishte asnjë kundër kandidat për këtë pozitë.

Intervistën e plotë me kryeprokurorin Ujkani mund ta ndiqni duke klikuar në këtë link.