
Krivaça e Hasani dënohen me burgim për grabitje në një pompë të derivateve në Prishtinë
Valdrin Krivaça e Ruzhdi Hasani, janë dënuar me nga 3 vite dënim me burgim dhe me nga 1 mijë euro dënim me gjobë lidhur me grabitjen që kishte ndodhur në pompën e derivateve “Shell Petrol” në Prishtinë.
Vepra e të akuzuarve sipas prokurorisë kishte ndodhur më 04.02.2024 dhe atë më veturën e tipit Audi Q5.
Lidhur me këtë vepër penale, Krivaça e Hasani kishin pranuar fajësinë në seancën fillestare të mbajtur më 05.07.2024.
Ndërsa i akuzuari, Diar Kurti nuk kishte pranuar fajësinë për veprën penale në bashkëkryerje grabitje.
Sipas Prokurorisë veturën e tipit Audi Q5 e kishte drejtuar Diar Kurti.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 04.02.2024 rreth orës 23:55 në pompën e derivateve “Shell Petrol”, e cila ndodhet në Prishtinë, të pandehurit në bashkëkryerje e pas marrëveshjes paraprake kanë kryer plaçkitje të punëtorëve të pompës.
Sipas aktakuzës, me të arritur në pompë me veturën e tipit “Audi Q5” ngjyrë hiri, te cilën e ka drejtuar Diar Kurti, të pandehurit Valdrin Krivaça dhe Ruzhdi Hasani kanë hyrë në market të pompës së derivateve dhe fizikisht kanë sulmuar punëtorët e pompës së derivateve tani të dëmtuarit E. K. dhe G. G. gjithë kohës duke kërkuar të holla me kanosjen që do të nxjerrin armë në qoftë së të dëmtuarit nuk ua japin.
Tutje, sipas aktakuzës, të pandehurit kanë marrë të holla nga arka e marketit në vlerë 149,95 euro dhe 4 pako të cigareve në vlerë të përgjithshme 12,40 euro. Po ashtu, të dëmtuarve ata ua kanë kontrolluar xhepat duke kërkuar të holla.
Ndërsa i pandehuri Diar Kurti ka mbetur në veturë në vendin e shoferit dhe ka pritur Valdrin Krivaçën dhe Ruzhdi Hasanin e kur këta kanë dalë nga marketi menjëherë kanë ikur nga vendi i ngjarjes me veturën e përmendur.