(Arkiv) Zgjedhjet në Serbi - Foto: REL

Zgjedhjet në Beograd për herë të dytë, pse janë të rëndësishme?

Për herë të dytë në gjashtë muaj, qytetarët e Beogradit do t’ia mësyjnë qendrave të votimit këtë fundjavë.

Zgjedhjet lokale do të përsëriten më 2 qershor, sepse në ato paraprake, të mbajtur në dhjetor, askush nuk e fitoi shumicën për ta formuar qeverinë.

Tani, një pjesë e opozitës po i bojkoton zgjedhjet e Beogradit, duke pasur parasysh se kushtet zgjedhore nuk janë përmirësuar.

Pas zgjedhjeve të dhjetorit, opozita akuzoi qeverinë për vjedhje zgjedhore, gjë që u mohua nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet dhe udhëheqja shtetërore.

Megjithatë, vëzhguesit ndërkombëtarë konstatuan një sërë parregullsish, ndërsa Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dha 25 rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor.

Pse është i rëndësishëm Beogradi?

Fitorja në zgjedhjet për Beogradin është e rëndësishme për disa arsye.

Jo vetëm në nivel simbolik për shkak të pushtetit në kryeqytet, por edhe për shkak të faktorëve ekonomikë.

Pra, Beogradi ka një buxhet që përfaqëson pak më shumë se një të dhjetën e gjithë arkës së shtetit.

Beogradi gjithashtu gjeneron 40 për qind të bruto prodhimit vendor (GDP) të Serbisë, prandaj është në pozitë udhëheqëse.

Për shembull, Vojvodina pason me një pjesëmarrje prej 26.4 për qind në GDP-së.

Pastaj, në Beograd ka një numër të madh të investimeve, por edhe projekteve të mëdha.

Si kompleksi afarist-banesor “Beogradi mbi ujë”, dhe ndërtimi i stadiumit kombëtar dhe kompleksit ekspozues EXPO.

Sipas regjistrimit të fundit nga viti 2022, një e katërta e popullsisë së Serbisë jeton në kryeqytet.

Të drejtë vote në zgjedhjet e 2 qershorit në Beograd do të kenë 1.602.150 qytetarë.

14 lista zgjedhore

Qytetarët e Beogradit do të mund të zgjedhin mes 14 listave zgjedhore në qendrat e votimit të dielën.

Derisa Partia Progresive Serbe në pushtet i “forcoi” radhët e saj, opozita ishte e ndarë rreth pjesëmarrjes në zgjedhjet e Beogradit.

Progresistët tani po konkurrojnë për zgjedhje me Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), e cila ka qenë partneri i tyre i koalicionit që nga ardhja në pushtet më 2012.

Në listën e progresistëve këtë herë do të jetë edhe partia e djathtë “Zavetnici”, e cila nuk e kaloi pragun në zgjedhjet e mëparshme.

Mirëpo, kryetarja e partisë, Milica Gjurgjeviq Stamenkovski, u zgjodh ministre për Përkujdesje Familjare dhe Demografi në Qeverinë e Serbisë.

Pse u nda opozita?

Një pjesë e opozitës vendosi të bojkotojë Beogradin, duke kërkuar që të gjitha zgjedhjet lokale të zhvendosen në vjeshtë, në mënyrë që të ketë kohë të mjaftueshme për t’i përmirësuar kushtet zgjedhore.

Kjo çoi në rënien e koalicionit “Serbia kundër dhunës”, i cili doli i dyti në zgjedhjet e dhjetorit.

Gjashtë nga nëntë anëtarët e saj po konkurrojnë për zgjedhje nën sloganin “Ne po zgjedhim Beogradin”. Këta janë Fronti i Gjelbër i Majtë, Iniciativa Nuk e Mbytim Beogradin, Lëvizja Popullore e Serbisë, Partia Demokratike, Kryengritja Ekologjike, Lëvizja e Qytetarëve të Lirë dhe Fytyra e Re e Serbisë.

Tre anëtarë të koalicionit – Partia për Liri dhe Drejtësi, Qendra e Serbisë dhe Uniteti – po bojkotojnë zgjedhjet në Beograd. Edhe koalicioni i djathtë NADA po bojkoton zgjedhjet.

Si dolën partitë në zgjedhjet e dhjetorit?

Koalicioni rreth Partisë Progresive Serbe fitoi 49 nga 110 mandate në Kuvendin Komunal të Beogradit në zgjedhjet e dhjetorit.

Koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës” kishte fitoi 43 ulëse.

Në vendin e tretë u rendit koalicioni ditor NADA me 7 asamblistë.

Grupi i djathtë dhe prorus “Ne, Zëri i Popullit”, i formuar para zgjedhjeve, fitoi 6 ulëse.

Ndërsa Partia Socialiste e Serbisë kishte 5.

Në dhjetor, rreth 60 për qind e të regjistruarve në listën e zgjedhësve morën pjesë në zgjedhjet në kryeqytet.

Asamblistët e kuvendeve komunale ose kuvendeve të qytetit zgjidhen në zgjedhjet lokale për një mandat katërvjeçar.

Kryetari zgjidhet nga kuvendi i qytetit, nga radhët e asamblistëve.

Në shpërndarjen e mandateve mund të marrin pjesë vetëm listat zgjedhore që kanë marrë të paktën 3 për qind të votave nga numri i zgjedhësve që kanë votuar.

Megjithatë, lista zgjedhore e pakicës kombëtare merr pjesë në ndarjen e mandateve edhe kur merr më pak se 3 për qind të votave.

Zgjedhjet në Beograd dhe në qytete të tjera

Përveç Beogradit, zgjedhjet lokale të dielën mbahen edhe në 88 qytete dhe komuna të tjera.

Me insistimin e opozitës, zgjedhjet në pushtetet e tjera lokale, të cilat nuk u mbajtën në dhjetor dhe ishin planifikuar për në vjeshtë, u bashkuan me zgjedhjet e Beogradit.

Kjo u mundësua me ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet Lokale, të cilat ndryshuan afatet për shpalljen e tyre.

Janë miratuar edhe ndryshimet në Ligjin për Listën e Unifikuar të Zgjedhësve, të cilat parashikojnë se qytetarët që kanë ndërruar vendbanimin në 11 muajt e fundit nuk do të mund të votojnë në adresën e re.

Këto ndryshime në ligj u ranë dakord mes grupeve parlamentare me propozim të opozitës.

Në fund të muajit prill, në bazë të rekomandimeve të ODIHR u formua Grupi i Punës për Përmirësimin e Procesit Zgjedhor, i cili përbëhet nga anëtarë të qeverisë dhe opozitës, si dhe përfaqësues të minoriteteve dhe sektorit joqeveritar.

Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, krahinore dhe vendore në 65 qytete dhe bashki të mbajtura në dhjetor, ODIHR dha 25 rekomandime për përmirësimin e procesit zgjedhor.

Misioni i ODIHR-it do t’i ketë vëzhguesit e tij në zgjedhjet lokale të 2 qershorit./REL