Vlora Çitaku flet për herë të parë pas skandalit me njohjen nga Xhamajka

Ambasadorja e Kosovës në ShBA, Vlora Çitaku ka folur publikisht për herë të parë pas skandalit me njohjen e pavarësisë nga Xhamajka.

Çitaku ishte ajo që kishte dërguar njoftim zyrtar te Qeveria dhe Presidenca e Kosovës se shteti i Xhamajkës ka njohur Kosovën.

Menjëherë pas kësaj, Presidenti i vendit e bëri publik këtë lajm dhe për njohjen uruan edhe pjesëtarë të qeverisë.

Të nesërmen, Ministra e Jashtme e Xhamajkës e mohoi lajmin që ishte shpërndarë në Kosovë duke e mohuar se Xhamajka e ka njohur Kosovën.

Pas kësaj të gjithë institucionet kanë kthyer gishtin kah Ambasada në Amerikë, përkatësisht Vlora Çitaku nga ku po presin “sqarim të situatës”.

Vetë Çitaku ka folur sot për herë të parë pas kësaj ngjarje.

Ajo në një shkrim në Facebook ka reaguar ndaj kritikave që i janë bërë nga Zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi. Megjithatë ajo akoma nuk ka sqaruar se çfarë ka ndodhur me njohjen nga Xhamajka.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të saj:

Zëvendës Kryeministri i Kosovës, z.Haki Abazi qenka marrë pak me mua. Më paska quajtur mua dhe Ambasadën në SHBA instrumente në shërbim të Presidentit, e jo të Kosovës.

Nuk është hera e parë që z.Abazi merret me mua dhe shpif kundër meje. Nuk e kam kuptuar ende pse. Nuk i jam përgjigjur më herët sepse z.Abazi nuk ka mbajtur post publik dhe nuk ka pasur përgjegjësi publike.

Jam përmbajtur nga deklarimi publik lidhur me kaosin e shkaktuar rreth njohjes nga Xhamjaka sepse shumë palë të tjera janë të përfshira. Palë që ndodhen jashtë Kosovës. Do të ishte jo diplomatike, jo korrekte, dhe anti-kombëtare që unë sot, për ta mbrojtur veten, të zbuloj emra dhe detaje.

Çdo gjë do të sqarohet me kohë.

Zv Kryeministrit i them publikisht, meqë asnjëherë, si zv Kryeministër, nuk më ka kontaktuar që ta sqarojë situatën në fjalë, nëse nuk dëshiron të kontaktoi me mua, atëherë le ta kontaktojë Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Për më tepër, është e ditur botërisht që unë jam emëruar Ambasadore përmes çelësit politik, njësoj si shumë Ambasadorë tjerë. Kjo nuk është shkelje apo diçka e jashtëzakonshme. Në fakt, është e rregulluar me ligj. Si Ambasadore, unë i kam shërbyer Kosovës. Kam punuar me nder tërë jetën time. E tillë do të vazhdoj të jem.

Nuk do të lejojë që puna dhe mundi i kolegëve të mi të njolloset e të përbaltet. Është e frikshme kur institucionet baltosen për inate politike e personale.

Jam shumë krenare me punën e kolegëve të mi dhe asnjëherë nuk do të dorëzohem para shantazhit publik.

E kam thënë edhe më herët, të jem Ambasadore e Kosovës në Washington DC është nderi i jetës sime.