Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Vizita dyditore në Bruksel, Qeveria tregon se a do të ketë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu, ka deklaruar se nuk do të ketë takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Bruksel, javën e ardhshme.

Në mesin e javës së ardhshme, Kurti do të udhëtojë në Bruksel në një vizitë zyrtare dy ditore.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Vizita në Bruksel është në shërbim të marrëdhënieve tona bilaterale me Bashkimin Evropian. Nuk do të ketë takim në mes kryeministrit Kurti dhe z. Vuçiq”, ka shtuar ai.

Sipas Kryeziut, kryeministri kosovar do të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian.

“Vizita dy ditorëshe në Bruksel gjatë mesit të javës së ardhshme është vizitë zyrtare e kryeministrit Kurti gjatë të cilës ai do të takohet me përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen e tij.

Kryeziu ka shtuar se në lidhje me agjendën e takimeve të Kurtit në Bruksel, do të njoftojnë shumë shpejt.

Vizita e Kurtit në Bruksel, do të bëhet në kohën kur pas formimit të institucioneve të Kosovës po kërkohet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi.

Këtë e kanë kërkuar së fundi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania.