VIDEO: Kurti i propozon Mustafës të mbyllen në negociata deri në arritjen e marrëveshjes

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një video- mesazhi i ka bërë thirrje Lidhjes Demokratike të Kosovës që të kthehet në tavolinën e diskutimeve për lidhjen e koalicionit për bashkëqeverisje.

Kurti, ka njoftuar edhe për propozimin që VV i bëri sot presidentit për mandatarin e qeverisë.

“Ne, si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi marrë mandatin ta bëjmë qeverinë që ju e dëshironi, e që vendit i duhet me aq urgjencë. As më shumë e as më pak”, ka thënë Albin Kurti.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e Isa Mustafës, i cili tha se nuk do të takohet me Albin Kurtin përveç nëse takohen për nënshkrim të marrëveshjes.

“E theksoj përsëri: nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse, ndryshe nga dakordimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra, qasja “Merre ose lëre”, do të thotë lëre”, thekson lideri i parisë e cila doli fituese nga gara zgjedhore e 6 tetorit.

Kjo është deklarata e plotë e Albin Kurtit:

Me rastin e dërgimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Me rastin e dërgimit të propozimit për mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Publiée par Albin Kurti sur Lundi 20 janvier 2020

Mirëdita të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Propozimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryeministër, si subjekt fitues nga zgjedhjet e 6 tetorit, kemi dashur ta dërgojmë te Presidenti, pas një marrëveshjeje me LDK-në.

Në mbledhjen konstituive të Kuvendit me 26 dhjetor shkova pa pasur një marrëveshje, edhe te Presidenti me 6 janar shkova pa marrëveshje paraprake, dhe, tani, dy javë pas atij takimi katër minutësh, ende nuk kemi marrëveshje për qeverinë e re.

Të dashur qytetarë,

Ne sot po e dërgojmë propozimin tonë me shkresë te Presidenti. Sekretarja jonë organizative, Vlora Haxhimehmedi, do ta bëjë këtë.

Ne nuk e kemi pranuar propozimin e fundit të drejtuesve të LDK-së por jemi treguar shumë të gatshëm për takime të mëtejme me synim gjetjen e alternativave tjera që do ishin të pranueshme për të dy palët.

E theksoj përsëri: nuk mund të kthehemi në të kaluarën, nuk mund të kthehemi në vitin 2019. Ata s’e kanë pranuar propozimin tonë të fundit, ndonëse, ndryshe nga dakordimi, nuk e trajtuan fare në Këshillin e tyre të Përgjithshëm. Qëndrimi se takohemi vetëm për ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, pra, qasja “Merre ose lëre”, do të thotë lëre.

Unë besoj se ne mund të kthehemi dhe e kemi detyrim ndaj të gjithë jush që të kthehemi në tavolinën e bisedimeve, për të mos dalë nga ajo deri në gjetjen e një gjuhe të përbashkët dhe arritjen e marrëveshjes sonë.

Ne, si Lëvizje VETËVENDOSJE! kemi marrë mandatin ta bëjmë qeverinë që ju e dëshironi, e që vendit i duhet me aq urgjencë. As më shumë e as më pak.

E kemi filluar duke e çliruar nga kapja, udhëheqjen e Kuvendit: nuk është më aty ai Pronto kryeparlamentari që shante e kërcënonte nga foltorja, por kryetari i ri, Glauk Konjufca.

Unë besoj se ne mund të kthehemi e duhet të kthehemi në tavolinën e bisedimeve.

Në ditët në vijim do të takoj edhe përfaqësuesit e pakicave.

Ju falemnderit e mirupafshim.