Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VIDEO - Kurti e Haxhiu përplasen për Trustin - flasin për masazhe e doktoratura

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu janë përplasur me njëri-tjetrin lidhur me inicimin e projektligjit për TRUSTI-n.

Kurti, ka thënë se nuk e ka ditur që propozuesi i këtij projektligji është fizioterapisti me doktoraturë.

“Unë nuk e kam ditur nuk kam qenë i njoftum që nismëtari është doktor shkence nuk kam qenë i njoftuar. Pra ka PHD nismëtari i kësaj iniciative ka doktoraturë. Dhe unë besoj që kjo nismë ka ardhë sepse nismëtari ka doktoraturë. Po mos të kishte doktoraturë. nuk do ta bënte këtë nismë. Nevojitet doktoratura PHD, për një fizioterapoistë që të propozoj diçka kaq të madhe në ekonomi. Nuk ka shpjegim tjetër, vetëm një doktoraturë në fizioterapi ta sjell vetëbesimin e nevojshëm që të bësh këso propozime në ekonomi e në financa të vendit”, tha Kurti.

Deputeti Bekim Haxhiu ka thënë se si një deputet me përvojën në 5 mandate këtë të drejtë ia garanton Kushtetuta dhe rregullorja e punës së Kuvendit dhe ka kërku që kjo çështje mos të bartet në personale.

“Kërkova që debati mos mu bartë në personale. Sot e kem veç një kërkesë prej gjithë atyre qytetarëve që e presin votimin e trustit. Mos ju bëjë presion deputetëve tu lej le të votojnë të lirë me bindjen e tyre vullnetin e tyre”, tha ai.

Haxhiu ka përmendur edhe pjesë të aspektit profesional.

“Duket që nëse kështu vazhdon me qëndruar në zyre e mos mi dëgju kërkesat e qytetarëve ke me pas nevojë edhe për fizioterapi jam i gatshëm me të trajtuar pa pare për atë punë sa herë që ki nevojë”, tha Haxhiu.

Ndërkaq, Kurti tha se do ta dëgjoj deputetin Haxhiu me respekt në seancë kur të flet për nismën për masazh.

“Do të vij në seancë me respektin më të madh do t’ju dëgjoj kur ju ta merrni projektligjin e nismës për masazh. Ama projektligjin për Trust s’ka kuptim kjo punë”, tha ai.

Kurse sipas Kurtit, çështja e financave shtetërore e ka një dimension shumë të fuqishëm profesional.

“Çështja e financave shtetërore dhe të ardhmes në ekonomi e ka një dimension shumë të fuqishëm profesional. Duhen shumë profesionistë e ekspert të konsultohen para se të thuash diçka sepse vetëm duke folur mund të bësh dëm. Unë jam i interesuar të di kënd e ke konsultuar për këtë se nuk je i fushës”, tha Kurti.