Vdes diplomati amerikan, James Pardew, liria dhe pavarësia e Kosovës është e lidhur me të

Ka vdekur në moshën 77-vjeçare diplomati amerikan James Pardew.

Lajmin për vdekjen e Pardew e ka publikuar portali arkansasonline.

Sipas këtij portali, Pardew ka vdekur të mërkurën.

James Pardew ishte njëri prej diplomatëve kryesor të administratës amerikane në arritjen e Marrëveshjes së Dayton-it, e cila i dha fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë më 1995.

Më pas, me fillimin e krizës në Kosovë, Pardew u angazhua në ndërmjetësimin për të ndalur fushatën e terrorit që kishte ndërmarrë regjimi serb kundër popullatës shqiptare në Kosovë.

Pas fushatës së NATO-s kundër Serbisë, James Pardew ndihmoi në vendosjen e pranisë së Shteteve të Bashkuara dhe pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë si dhe në zhvillimin e institucioneve të Kosovës në fushën e qeverisjes dhe të sigurisë.

Po ashtu, James Pardew ishte caktuar nga atëherë Sekretari i Shtetit, Colin Powell, të ndërmjetësonte në arritjen e një marrëveshjeje paqësore mes autoriteteve të Shkupit dhe liderëve të shqiptarëve të Maqedonisë. Konflikti mes forcave maqedonase dhe atyre të UÇK-së u ndërpre më 2001 në bazë të arritjes së Marrëveshjes së Ohrit, e cila parashihte avancimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë.

Edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës është në saje të angazhimit të James Pardew, i cili në atë kohë shërbente si zëvendës ndihmës i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.

Vitin e kaluar, James Pardew, në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë“, kishte kundërshtuar qëndrimin e Administratës së presidentit Donald Trump karshi Kosovës, sidomos paralajmërimin e tërheqjes së forcave amerikane nga Kosova.

Intervistën e plotë me ambasadorin tashmë të ndjerë mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

www.kallxo.com