
Turistët mësyjnë Luginën e Vdekjes pavarësisht të nxehtit përvëlues
Qindra evropianë që kanë ndërmarrë turne nëpër Perëndimin amerikan dhe po përjetojnë aventura anembanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës ende po joshen prej parkut kombëtar të Luginës së Vdekjes, megjithëse rajoni i njohur për vendet më të nxehta të globit është goditur nga vala e rrezikshme e të nxehtit përvëlues që u konsiderua shkaktar i vdekjes së një motoçiklisti në fundjavë, raporton agjencia e lajmeve, AP
Turistë zviceranë, anglezë, francezë dhe spanjollë kanë dalë prej makinave të huazuara me aparate freskimi dhe kamp-shtëpizave për të shkrepur fotografi në peisazhin djerrinë, krejt ndryshe prej kodrave të gjelbra dhe maleve me dëbora që rrethojnë vendlindjet e tyre evropiane. Aventurierëve amerikanë u ka pëlqyer ky përkushtim, megjithëse zyrtarët e parkut në Kaliforni i kanë paralajmëruar turistët që të rrinë në vende të sigurta.
“U mahnita kur kuptova se do të ishte kaq nxehtë”, ka thënë Drew Belt, banor i Tupelos në Misisipi, i cili deshi të ndalej në Luginën e Vdekjes si vendi më pak i preferuar për të pushuar pakëz në Shtetet e Bashkuara. Ai po ngjitej në Malin Whitney, maja më e lartë në 48 shtetet më të ulëta. ‘Kjo është një mundësi që të jepet një herë në jetë. Është si puna e ecjes në Mars”, ka theksuar ai për AP-në.
Zyrtari mbikëqyrës i parkut, Mike Reynolds, i ka paralajmëruar vizitorët nëpërmjet një deklarate të shkruar se “i nxehti i madh si ky mund të paraqesë kërcënim të vërtetë për shëndetin tuaj”.
Zhegu i madh që ka kapluar hise të mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka rezultuar edhe me temperatura rekorde në Oregon, ku besohet se ka shkaktuar katër vdekje në rrethinën e Portlandit. Më shumë se 146 milionë qytetarë anembanë Shteteve të Bashkuara janë alarmuar të hënën, sidomos shtetet perëndimore.
Përgatiti: Rexhep Maloku/Kallxo.com