Time Kadrijaj: Me i pas ndodhë naj qeverie tjetër me i skadu afati 133 mijë vaksinave, VV e kish kallë Parlamentin e Qeverinë

Në mbledhjen e Komisionit për Integrim Evropian, e cila në rend të ditës pikë së pari kishte shqyrtimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2021-2025, në mes të temave të tjera i është dhënë rëndësi edhe asaj të skadimit të afatit të 133 mijë vaksinave antiCOVID-19.

Nënkryetarja e këtij Komisioni, deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadrijaj, i është drejtuar zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian Zhvillim e Dialog, Besnik Bislimi, duke i thënë se po të kishin skaduar vaksinat gjatë qeverisjes së ndonjë përbërjeje tjetër të Qeverisë, partitë aktuale që janë në krye të institucioneve qendrore do të reagonin ndryshe.

“Me i ndodhë naj qeverie tjetër me i skadu afati 133 mijë vaksinave, ju e kishit kallë parlamentin, e po ashtu edhe Qeverinë”, i tha Kadrijaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri Bislimi, ndërkohë ka potencuar se skadimi i afatit të vaksinave nuk e ka penguar aspak procesin e vaksinimit dhe ka ritheksuar qëllimin e mbledhjes së Komisionit dhe rendit të ditës.