Tahiri (PDK): 30 maji është dita e fundit për të vendosur për shpërndarjen e Kuvendit

Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, u ka bërë thirrje partive parlamentare që të reflektojnë mbi kërkesën e PDK-së për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se duhet lexuar edhe veprimet e kryeministrit Albin Kurti, pasi sipas tij, edhe ai po u hap rrugë zgjedhjeve të reja.

“Ju bëjmë thirrje edhe njëherë të gjitha subjekteve politike, në veçanti subjekteve politike parlamentare që të reflektojnë mbi kërkesën e PDK-së, e që është hapja e rrugës për zgjedhje të parakohshme përmes shpërndarjes së Kuvendit. Duhet lexuar edhe vetë lëvizja e kryeministrit. Fakti që i ka hapur rrugë mundësisë së shpërndarjes së Kuvendit, kjo tregon që kryeministri po i hap rrugë zgjedhjeve të reja apo krijimit të një qeverie të re”- ka deklaruar Tahiri.

“Puna e Kuvendit ka degraduar deri në atë pikë saqë me zor mund ta mbajmë në jetë edhe tetë muaj deri në zgjedhjet e rregullta. Mirëpo, mirë është të reflektojmë, t’i hapim rrugë zgjedhjeve të reja, qoftë më 30 qershor apo 7 korrik”- shtoi ai.

Tahiri nënvizoi se dita e enjte, 30.05.2024, është dita e fundit për të vendosur për shpërndarjen e Kuvendit.

“Tash dy javë jemi në komunikim më intensiv. Edhe para dy jave kemi qenë në konsultim me partitë opozitare dhe do vazhdojmë në vijim deri te momenti, siç e kemi thënë që dita e enjte do të jetë dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit, apo 30 maji. Nëse deri më 30 maj nuk arrijmë dakordim për shpërndarjen e Kuvendit e humbim mundësinë që qytetarët t’u drejtohen kutive të votimit më 30 qershor apo 7 korrik. Pra kjo është dita e fundit dhe ne nuk do t’i ndalim përpjekjet”- tha ai.

“Rezultatet e këtij procesi do t’ua komunikojë ditët në vijim kryetari i PDK-së. Nuk kemi hequr dorë dhe jemi duke punuar”- theksoi Tahiri.

Seanca e Kuvendit të Kosovës në të cilën pritej të paraqitej rezoluta e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, përmes të cilës do të kërkohej shkarkimi apo dorëheqja e qeverisë që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti, është shtyrë për një datë tjetër.

Rezoluta e AAK-së, parashihte që pas dorëheqjes ose shkarkimit të Qeverisë, të shpërndahej edhe Kuvendi i Kosovës.

Qeveria e Kosovës u votua më 22.03.2021 në Kuvendin e Kosovës, me 67 vota për, 30 kundër dhe asnjë abstenim, ndërsa ekzekutivi që drejton Albin Kurti ka tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.

Në anën tjetër, partitë opozitare ka kohë që kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ende nuk po arrijnë të pajtohen për të thirrur një seancë parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.