Spitali i Pejës - Foto: KALLXO.com

Spitali i Pejës: 77 pacientë me COVID-19, por ka vetëm një respirator

Spitali i Përgjithshëm në Pejë në të cilin janë duke u trajtuar 77 të infektuar me COVID-19, ka vetëm një respirator për trajtimin e pacientëve.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Spitali i Pejës, sipas të cilit kanë vetëm një respirator, ndërsa një e kanë dërguar në QKUK.

Sipas tyre, deri tashmë nuk kanë të infektuar me COVID-19 që ka nevojë për asistim me respirator.

“Nuk kemi pacientë me respirator. Kemi vetëm një respirator, ndërsa një e kemi dërguar në QKUK”, thuhet në përgjigjen e ekipit të Spitalit.

Në këtë spital janë duke u trajtuar 77 të infektuar me COVID-19,  shtatë persona të tjerë janë në gjendje të rëndë, ndërsa 32 të tjerë raportohet të jenë në gjendje stabile, duke u asistuar me oksigjeno- terapi.

Një person i infektuar me COVID-19 dhe një tjetër që dyshohet se është prekur nga ky virus kanë vdekur brenda 24 orëve të fundit në spitalin e Pejës.

Dje në Pejë janë shënuar edhe 23 raste me SARS- CoV-2, ndërsa 220 raste në nivel vendi janë regjistruar pozitiv me COVID-19.

Që nga 13 marsi e deri më tani në Kosovë janë infektuar me COVID-19,  7137 persona, prej tyre janë shëruar 3874 janë shëruar dhe 177 të tjerë kanë vdekur.