Si funksionojnë skemat e mashtrimit me paratë e BE-së në Hungari

Hungaria kryeson listën e vendeve ku janë zbuluar parregullsi me fondet e BE-së, duke përfshirë një rast të fundit korrupsioni që përfshin ish-kryetarin e komunës së fshatit Kengyel. Ai i shpjegon BIRN se si funksionon sistemi.

 

Në fund të shtatorit, Szilard Nagy humbi zgjedhjet e parakohshme për kryetar komune në Kengyel, një fshat me rreth 3,500 banorë në Hungarinë qendrore-lindore, dhe ai nuk ishte ndjerë kurrë kaq i lehtësuar.

“Nëse pendohem për ndonjë gjë, është që kam hyrë në politikë”, tha ai për BIRN. “Para kësaj, isha një prezantues i suksesshëm radioje në Szolnok dhe atë punë duhej të kisha vazhduar.”

41-vjeçari Nagy ishte kryetar komune në Kengyel për nëntë vjet, midis vitit 2010 dhe 2019 dhe për pjesën më të madhe të asaj kohe ai u mbështet nga Fidesz, partia nacionaliste në pushtet e udhëhequr nga kryeministri Viktor Orban. Në zgjedhjet lokale të 2014, ai fitoi gati 94 për qind të votave.

Megjithatë, edhe një popullaritet i tillë nuk mund ta shpëtonte atë. Vitin e kaluar, para se ai të humbte përfundimisht zgjedhjet për kryetar komune, ai u hoq nga detyra nga Këshilli i Kengyelit pasi një gjykatë në Szolnok e dënoi atë me një vit burg, të pezulluar për tre vjet, për nënshkrimin gjatë kohës së tij si kryetar komune të një kontrate me një avokat i cili më pas u akuzua për përvetësimin e rreth 10 milionë forintave (rreth 280,000 euro) nga fondet publike të fshatit Kengyel.

Ajo që ndihmoi Nagy-n në pezullimin e kushtëzuar të atij dënimi ishte bashkëpunimi i tij me zyrat e prokurorit në Kecskemet dhe Budapest për një çështje me shumë rëndësi: si funksionon një skemë mashtruese që përfshin paratë e BE-së në Hungarinë e ditëve të sotme.

Tani, duke jetuar nën mbrojtjen e policisë, Nagy pranoi t’i shpjegonte BIRN se si funksionon kjo skemë.

Po ndenje me qentë, do zësh pleshta edhe ti

 

Qarku Jasz-Nagykun-Szolnok, në të cilin ndodhet fshati Nagy, ishte për shumë vite i kontrolluar informalisht nga Istvan Boldog, pretendon Nagy.

Një mekanik nga arsimi, një ish-kryetar komune në një prej fshatrave fqinjë dhe një anëtar parlamenti me partinë Fidesz që nga viti 2010, Boldog-ut iu hoq imuniteti parlamentar në prill me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, i cili e akuzoi atë në një deklaratë “për shfrytëzim posti dhe ndikim, si edhe ndikim të paligjshëm në rezultatet e vlerësimit të aplikimeve për fondet e BE-së, për të cilat ai mori një avantazh të pajustifikuar nga sipërmarrësit.” Ai është marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me akuzat për korrupsion, megjithëse ai mohon të gjitha akuzat.

Nagy pretendon se ai dhe Boldog u takuan dy herë në nëntor 2016. “Së bashku me kryetarët e tjerë të komunave në qark, isha ftuar në në zyrën e Boldog në Ketpo”, tha Nagy. “Hynim brenda një e nga një, çdo 30 minuta. Para se të hynim, na u kërkua të fiknim dhe t’i linim celularët jashtë. Boldog renditi projekte specifike për para europiane për të cilat ne duhet të aplikonim. Kur një nga kolegët e mi u përgjigj se nuk kishte nevojë për një stacion të ri autobusi, i thanë se në atë rast ai nuk do të merrte asnjë qindarkë.”

Pse e pranoi Nagy këtë gjë? “Çdo kryetar komune dëshiron që fshati i tij të rritet”, psherëtiu ai.

Në Hungari, një fshat si Kengyel aplikon për fonde të BE-së përmes këshillit të qarkut nën Programin Operacional të Zhvillimit, i njohur me shkurtesën TOP, i cili më pas e dërgon kërkesën në Thesarin Shtetëror të Hungarisë, agjencia qendrore e buxhetit. Ekspertët e Thesarit vlerësojnë secilën kërkesë. Ky vlerësim është thelbësor për këshillin e qarkut dhe Ministrinë e Financave, të cilat së bashku marrin një vendim për subvencionimin e projektit.

Disa ditë më vonë, Nagy tha se ai mori një telefonatë nga zyra e Boldog, i cili e ftonte atë në një takim tjetër. I thanë që të merrte rroba banje me vete dhe të shkonte në pishinën termale në Cserkeszolo. “I ulur në pishinë, me dy sekretare me rroba banje, Boldog shpjegoi se unë duhej të luaja sipas rregullave të tij. Rregullat ishin si më poshtë: personi X do të shkruajë aplikimin, personi Y do të jetë menaxheri i projektit dhe personi Z do të jetë në komunikim. Personi i katërt duhet të fitojë tenderin”, kujton Nagy.

Pas kësaj, Nagy-t iu tha të ishte në kontakt vetëm me ndërmjetësit e Boldog, në hungarisht të quajtur taskas emberek. I pari nga këta ishte një tullac që u bë i gjatë të nesërmen pas takimit në pishinë në një makinë me targa sllovake. “Ai tha se fshati im do të marrë gjashtë projekte nga BE-ja dhe i pari është një rrugë biçikletash. M’u dha një plan i detajuar i rrugës dhe informacionet se kush do ta ndërtonte atë, dhe se kjo do të kushtonte 500 milionë forinta”, tha Nagy për BIRN.

Në mbrëmje, ndërtuesi i ardhshëm i rrugës së biçikletave e thirri atë për të sqaruar se edhe pse rruga do të kushtonte gjysmë miliardë forinta (1.4 milion euro), gjysma e kësaj shumë do të shkonte në xhepin e Boldog. Në këtë moment Nagy u rebelua për herë të parë. “Në takimin e ardhshëm me taskas ember i thashë që unë tërhiqesha. Si përgjigje, dëgjova një mori fjalësh të ndyra, nga të cilat ‘qeni i Boldog-ut’ ishte më e sjellshmja.”

Çfarë gjuhe përdoret kur diskutohen marrëdhënie të tilla? Boldog quhej “shefi” nga taskas ember-ët, i cili përdorte fraza të paqarta të tilla si “shefi po ju vë në dijeni se nëse silleni si duhet, të gjithë do të përfitojnë”. Ata nuk e përdorën kurrë fjalën “korrupsion”, theksoi Nagy.

Disa javë më vonë, doli se nga gjashtë aplikime që kishte dorëzuar Nagy, katër më të shtrenjtat u gjetën të pavlefshme nga Thesari i Shtetit i Hungarisë për shkak të gabimeve zyrtare. Dy aplikimet e tjera morën vetëm fonde të pjesshme. Nagy spekuloi se ishte Boldog ai që kishte ndikuar disi tek ekspertët e pavarur; me ndihmën e Fidesz, ai pretendon, “shteti dhe partia janë bërë një organizëm”.

Në fund të vitit 2018, një vit para zgjedhjeve të ardhshme lokale, Nagy vetë kontaktoi Boldog-un për të “siguruar rizgjedhjen e tij me investime të reja”. Nagy-t iu tha të takonte një tjetër taskas  ember të Boldog-ut, i cili kërkoi kontroll të plotë mbi dy projektet fituese – rinovimin e sheshit kryesor dhe një shtëpi të moshuarish në Kengyel, një marrëveshje të cilën Nagy e pranoi. “Të njëjtën ditë, mora një mesazh se dy aplikime të tjera, të refuzuara më parë për arsye zyrtare, kishin marrë përgjigje pozitive nga Thesari”, tha ai.

BIRN kërkoi komentin e Thesarit të Shtetit të Hungarisë mbi detajet e procesit që kaluan aplikimet e Nagy-t, por nuk mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit.

Pasi siguroi fonde për katër projekte së bashku, Nagy mori nga një tjetër taskas ember, nëpërmjet një adrese private emaili, një listë të kompanive që duhet të merrnin pjesë në tendera. Në Hungari, për projekte me vlerë më pak se 300 milion forinta (rreth 840,000 euro), një institucion publik është i detyruar ligjërisht të ftojë të paktën pesë kompani të paraqesin oferta, nga të cilat të paktën dy duhet të paraqesin zyrtarisht një ofertë të saktë që tenderi të konsiderohet i suksesshëm.

“Boldog caktoi të gjitha kompanitë. Njëra duhej të fitonte, tjetra paraqiti një ofertë të fryrë”, tha Nagy. Ai spekulon se vetë Boldog mund të përfitojë duke marrë para nga të gjitha kompanitë nëpërmjet taskas ember-ave të tij.

Sipas Istvan Janos Toth, drejtori i Qendrës për Hulumtim të Korrupsionit Budapest (CRCB), lidhjet e ngushta midis të gjithë ofertuesve janë një tipar karakteristik i sistemit të tenderimit hungarez. “Të gjithë aktorët, përfshirë atë që urdhëron tenderin, ndërmjetësit, fituesi i tenderit dhe madje edhe humbësit, janë të lidhur me njëri-tjetrin”, tha Toth për BIRN. “Të gjithë përfitojnë”.

Në një raport të botuar në maj, pasi analizoi pothuajse 250,000 kontrata publike nga periudha 2005 deri në 2020, CRCB tha se rreziku i korrupsionit në prokurimin publik në katër muajt e parë të vitit 2020 kishte arritur nivelin më të lartë që nga viti 2005. Sipas raportit, 41 për qind e kontratave nga kjo periudhë ishin nënshkruar pavarësisht mungesës së ndershme gjatë tenderit. Toth shpjegon se shumica e parregullsive ndodhin në sektorët publikë më fitimprurës: ndërtimi dhe IT.

“Midis kryetarëve të komunave të qarkut tim, të gjithë ishin të vetëdijshëm se kështu funksiononte”, komentoi Nagy. “Ndërsa e diskutonim, përdornim shorehejn: Boldog-u është përsëri i uritur dhe duhet të ushqehet.”

BIRN u përpoq të kontaktonte me gjashtë kryetarë të tjerë aktualë dhe ish-kryetarë komunash në qarkun Jasz-Nagykun-Szolnok, por askush nuk pranoi të komentonte.

Në rastin e Nagy-t, skema e korrupsionit u ekspozua nga dikush në zyrën e tij, një noter, i cili, në pamundësi për të duruar stresin, e raportoi këtë gjë në zyrën e prokurorit në Szolnok. Nagy i diskutoi detajet gjatë katër ditësh marrje në pyetje në 2019. Policia më pas i ofroi Nagy-t mbrojtje.

Disa figura të tjera janë arrestuar gjithashtu në lidhje me çështjen, duke përfshirë sekretaren e Boldog nga pishina termale në Cserkeszlo dhe krerët e disa kompanive të përfshira në tendera. Vetë Boldog nuk është përballur ende me asnjë akuzë, megjithëse në prill parlamenti i hoqi atij imunitetin me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Prokurori i Përgjithshëm konfirmoi në një email se ka 11 të dyshuar në këto procedura, të akuzuar për “pranim ryshfeti dhe krime të tjera”, por “asnjë aktualisht nuk i është nënshtruar masave shtrënguese që prekin lirinë personale”, që do të thotë se askush nuk është në paraburgim. Sa i përket Boldog, ai “u mor në pyetje nga zyra e prokurorit si i dyshuar”, shkroi Katalin Kovacs, zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm në përgjigje të pyetjeve të BIRN.

Nagy dyshon se meqenëse Boldog është thjesht një deputet i zakonshëm dhe nuk i përket rrethit të ngushtë të Orban, ai mund të bëhet dash kurbani për t’i treguar BE-së se qeveria po lufton korrupsionin.

Boldog nuk iu përgjigj dy pyetjeve me email në lidhje me çështjen.

Më thellë dhe më gjerë

Kundërshtarët e qeverisë argumentojnë se skemat në shkallë të vogël, të tilla si ato në qarkun Jasz-Nagykun-Szolnok, nuk janë raste të izoluara. Ato janë, në fakt, një mikrokozmos i marrëdhënieve që zhvillohen në të gjithë Hungarinë e Fidesz-it, e cila është një marrës kryesor i fondeve të BE-së dhe ku, në një nivel më të lartë, përfshihen figura më të shquara dhe shuma më të mëdha parash.

“Para Orbanit, ne kishim korrupsionin e rregullt të Europës Lindore. Pra, të pasurit siguronin ndikimin e politikanëve”, tha për BIRN Szabolcs Panyi, një gazetar për faqen investigative të internetit Direkt36. “Tani, vetë shteti është në krye të korrupsionit. Paratë e shtetit dhe BE-së trajtohen si private. Nëse dikush hyn në telashe, ligjet në parlament modifikohen shpejt. Hetimet shpesh ngrihen sepse në krye të policisë dhe zyrës së prokurorit janë njerëz të besuar.”

David Jancsics, një ekspert i korrupsionit hungarez nga Universiteti Shtetëror i San Diegos, shpjegoi se, “nuk është se bizneset më të mira hungareze fitojnë kontrata. Këto i marrin bizneset më besnike.”

“Në këtë sistem, kjo shkon deri te qeveritë lokale; nëse nuk mbështet interesat e lidhura me Fidesz, atëherë nuk do të marrësh të ardhura”, shtoi ai.

Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian po shqetësohen gjithnjë e më shumë se si qeveritë e vendeve anëtare po përdorin fondet e BE-së dhe tani janë duke kërkuar në mënyrë aktive mënyra për të ndryshuar mënyrën e ndarjes së parave të BE-së, për shembull duke i shpërndarë ato drejtpërdrejt në komuna, kompani të vogla dhe të mesme dhe OJQ, duke shmangur kështu qeveritë qendrore problematike.

Sa i përket Hungarisë, Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) përfundoi 43 hetime për keqpërdorim fondesh ku gjeti parregullsi midis 2015-2019, më e larta në bllok, dhe rekomandoi që Komisioni Europian të rimarrë 3.93 për qind të pagesave të bëra në Hungari nën fondet strukturore dhe të pavarura të bllokut dhe fondet e bujqësisë. Kjo ishte dhjetë herë më shumë se mesatarja e BE-së (0.36 për qind).

Në përgjigje, Fidesz pretendon se puna e OLAF ka qenë e motivuar politikisht për një kohë të gjatë. “OLAF ishte shumë aktiv gjatë fushatës së fundit zgjedhore duke u përpjekur të ndikonte në rezultate”, pohoi për BIRN Agoston Samuel Mraz, drejtor i Institutit Nezopont, një institucion studimor afër Fidesz.

Në vend që të publikojë raporte të reja, OLAF duhet të qëndrojë i paanshëm në “përplasjen midis qeverive të V4 dhe elitës së Brukselit” dhe “duhet të ndihmojë në luftimin e keqpërdorimit të fondeve të BE-së”, shkroi Mraz në një email.

Grupet e reja të biznesit që janë rritur nën Orban-in, të cilat përfshijnë ato të miqve të tij të fëmijërisë dhe anëtarëve të familjes së tij, midis figurave të tjera, përfaqësojnë për Mraz “një elitë kombëtare në ekonomi”. Kritikët mund ta quajnë atë një “oligarki”, thotë Mraz, por ai argumenton se fjala “oligarki” është një emër i gabuar, “sepse njerëzit në ekonomi nuk kanë asnjë ndikim në vendimet politike siç ishte dikur në Rusi në vitet 1990”.

Në shumë mënyra, hungarezët, me sa duket, thjesht janë mësuar me korrupsionin. Sipas Eurobarometrit të fundit, 87 për qind e të anketuarve besojnë se korrupsioni është i përhapur në vend, por vetëm 38 për qind e konsiderojnë korrupsionin të papranueshëm – shifra më e ulët në BE.

“Njerëzit nuk dinë për korrupsionin, sepse mafia Fidesz ka përdorur paratë e vjedhura për të marrë mediat publike dhe për të blerë një pjesë të madhe të atyre private”, tha Akos Hadhazy, një ish-udhëheqës i Partisë së Gjelbër Hungareze, tani deputet i pavarur. Megjithatë, në zgjedhjet lokale të 2019, Fidesz humbi disa qytete, përfshirë Budapestin, për shkak të skandaleve të korrupsionit, ndër të tjera.

“Për mbështetësit e tyre ata u dërgojnë një mesazh: ne vjedhim, por edhe të tjerët vjedhin. Ne të paktën ju mbrojmë nga emigrantët dhe Sorosi”, shtoi Hadhazy.

Nagy-t nuk i intereson aspak kjo. Ai thotë se dëshiron të largohet njëherë e mirë nga politika. “Prokurori nga Kecskemet i cili filloi procedurat kundër meje u hoq nga Prokurori i Përgjithshëm, ndërsa mbikëqyrësi i tij kreu vetëvrasje”, shpjegoi Nagy. “Nuk dua të përfundoj edhe unë ashtu.”/ Reportel.al