Foto: REL/Reuters

Shkon në 828 numri i të infektuarve me coronavirus në Maqedoni të Veriut

Ka arritur në 828 numri i të infektuarve me coronavirus në Maqedoninë e Veriut. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për 68 raste të reja me COVID-19 që përfshijnë nëntë qytete, ndërsa numri më i madh i tyre është në Kumanovë (18), Shkup (15), Prilep (14), Strugë (dhjetë).

Gjendja e të prekurve është stabile përveç 26 rasteve që ndodhen në aparate të frymëmarrjes në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup.

Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit janë kryer 404 teste që e çojnë në 8,057 numrin e testeve të kryera për sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Të dielën, siç ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, nuk janë regjistruar viktima të reja dhe numri i vdekurve mbetet 34, shumica e të cilëve janë nga Shkupi dhe Kumanova.

Numri i personave të shëruar arrin në 41. Ndërkohë, nga disa qendra të karantinës shtetërore janë lëshuar 280 persona të cilët do t’i nënshtrohet edhe një izolimi shtëpiak prej 14 ditësh.

Ministria e Shëndetësisë, ndërkohë ka njoftuar se është duke hetuar edhe rastin me dy personat në Veles që janë gjetur të vdekur në banesën e tyre javën e kaluar. Njëri prej tyre ka rezultuar pozitiv në virus dhe mbetet të konfirmohet nëse bëhet fjalë për COVID-19. Sipas autopsisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore, personi kishte ndërruar jetë më 6 janar, që edhe ka hapur dilemën nëse në Maqedoninë e Veriut coronavirusi ka ekzistuar edhe para 27 shkurtit, kur ishte publikuar rasti i parë me COVID-19.

Sa i përket masave të qeverisë apo ndalimit të tërësishëm të lëvizjes deri në orën 05:00 të mëngjesit të ditës së hënë, Ministri i Punëve të Brendshme, Naqe Çulev për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se “masat janë vendosur për shkak të mentalitetit të njerëzve në vendin tonë”, duke i përshkruar si njerëz si shumë të shoqërueshëm apo social.

“Kemi kontakte shumë intensive sociale dhe njerëzit e kanë të vështirë të heqin dorë nga mënyra normale e të jetuarit, kështu që masat e qeverisë janë në drejtim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Bazuar në vlerësimet e ekspertëve, kulmi i infeksionit nga koronavirusit do të jetë në periudhën e ardhshme, pra nga fundi i prillit andaj qeveria vendosi të rrisë kufizimin e lëvizjes, kryesisht për të parandaluar ndërveprimin shoqëror midis njerëzve. Personalisht, unë jam edhe për masa më rigoroze”, ka deklaruar ministri Çulev./REL