Ilir Murtezaj - Foto: REL

Rreth 7 muaj pas shkarkimit nga Qeveria Hoti, Ilir Murtezaj rifillon punën si drejtor i ATK-së

Rreth 7 muaj pasi Qeveria Hoti e kishte shkarkuar, sot, drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Ilir Murtezaj, e ka rifilluar sot punën me vendim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kjo është bërë duke u bazuar në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, i cili ka konstatuar se shkarkimi i Murtezajt ka qenë i kundërligjshëm.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në zbatim të vendimit të KPMSHCK-së, dje ka marrë vendim për kthim të menjëhershëm të Ilir Murtezajt në pozitën e drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së, me të gjitha të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës.

Murtzaj ka mbajtur një takim me menaxhmentin e lartë ku ka potencuar se do vazhdojë të punojë me përkushtim aty ku e ka lënë.

“Prioritetet dhe objektivat e ATK-së do të kenë jetësim, nëse secili prej nesh do të punojë me profesionalizëm dhe dinjitet. Jemi dëshmitar që ATK sikurse çdo institucion tjetër është duke u përballur me pasojat e pandemisë COVID 19, mirëpo, theksoj se ne jemi ata që mund të ri-marrim prapë proceset të cilat janë dëmtuar”, ka potencuar Murtazaj në këtë mbledhje.

Ilir Murtezaj ka qenë ndër kandidatët më pak të poentuar nga dy përfaqësuesit e BDO-së, kompanisë së angazhuar nga Ambasada Britanike për t’i ofruar asistencë institucioneve në rekrutim gjatë procesit të përzgjedhjes së drejtorit të ATK-së që ishte zhvilluar në vitin 2019.

Nga 12 kandidatë të intervistuar që ishin në garë për t’u bërë drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës, vetëm një kandidat kishte më pak pikë se Murtezaj në vlerësimet e bëra për secilin kandidatë menjëherë pas përfundimit të intervistës.

Por, gjerat kishin ndërruar në favor të Ilir Murtezajt. Ai kishte arritur të futet në top 5 kandidatët e BDO-së në mënyrë të pashpjegueshme, duke marrë 22 pikë.

Futja e tij në mesin e kandidatëve të emrueshëm ishte bërë pasi BDO-ja i kishte eliminuar nga gara dy kandidatë të tjerë që kishin më shumë pikë, 23.5 gjegjësisht 24.5 pikë.

Për këtë ngritje te pikëve në vlerësimin në favor të një kandidati të paemrueshëm, partnerët implementues britanikë e pranojnë se nuk është i zakonshëm, dhe nuk ka ndodhur më parë në proceset rekrutuese një ndryshim kaq i theksuar.

Ndërrimin e pikëve e kishin bërë edhe anëtarët e komisioni vendor, duke e përmbysur rezultatin e dy vendeve të para, në favor të Ilir Murtezajt. Komisioni vendor ndryshoi vlerësimin edhe për kandidatin Isen Lipovica, por në këtë rast u zbrit vlerësimi i “entuziazmuar” pas intervistës.

Kjo përmbysje të rezultateve bërë nga të dy komisionet, kishte favorizuar Ilir Murtezajn, i cili është zgjedhur Drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës nga atëherë kryeministri Ramush Haradinaj, pas propozimit që ligjërisht kërkohet të bëhet nga ish-ministri i Financave, Bedri Hamza.