Albulena Mavraj, fituese e çmimit të parë

RIINVEST ndanë çmimet për gazetarinë nga fusha e ekonomisë, të mbështetura nga BIRN

 

Instituti RIINVEST ka shpërblyer tri shkrimet më të mira të fushës ekonomike, që janë prodhuar pas një trajnimi të kryer nga RIINVEST.

Trajnimi dhe shpërblimet janë bërë të mundshme nga një granti i BIRN-it, si pjesë e projektit: “Kontribut në forcimin e gazetarisë së pavarur, hulumtuese dhe të dobishme për publikun, si dhe në lirinë e shprehjes në Kosovë”, projekt ky që implementohet në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

Vendin e parë e fitoi Albulena Mavraj, me artikullin e saj për planet e Qeverisë për ta lejuar tërheqjen e 10% e kursimeve nga Fondi Pensional i Kosovës, si formë e luftimit të pasojave që ka krijuar pandemia e koronavirusit.

Sipas jurisë, artikulli ka ofruar informata të besueshme për qytetarët për një temë e cila nuk është mbuluar dhe sqaruar mjaftueshëm nga pjesa më e madhe e medieve në Kosovë.

Albionë Hajdari është shpërblyer me vendin e dytë për artikullin e saj që në qendër vendos vështirësitë e të rinjve pas diplomimit. Ndërkohë, vendi i tretë shkoi për Lulzim Ahmetin, storja e të cilit trajtoi dëmet ekonomike që ka shkaktuar kriza e koronavirusit.

Projekti, i cili mbështetet nga Bashkimi Evropian, synon të e zhvillojë gazetarinë e pavarur, të paanshme dhe në të mirë të publikut, duke i pajisur përfituesit me aftësi të kërkuara dhe burime për të implementuar shkrimet e tyre hulumtuese dhe kreative.