Oxhak i një termocentrali me qymyr | Foto: Flickr

Raporti ndërkombëtar: Termocentraleve me qymyr po u kalon koha

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë sot ka dalë me Raportin Vjetor të Implementimit, i cili tregon se Kosova dhe vendet e rajonit nuk kanë arritur t’i përmbushin standardet për vënien e limiteve për emetim të gazrave (Nox. SO2 dhe dust)

Ky raport thotë se Kosova nuk ka arritur të vendosë limite në emetimin e këtyre tre ndotësve: oksidet e azotit, dioksidi i squfurit dhe pluhuri, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut nuk arritën të përmbushin limitet për dioksid squfuri dhe pluhuri. Ukraina mezi ka arritur t’i përmbushë standardet e NERP (Plani nacional për reduktim të emetimeve), kurse Moldavia nuk ka raportuar emetimet e saj vjetore të 2018-ës.

Si rezultat i mos implementimit të NERP në Serbi, termocentralet duhet të arrijnë limitet e emetimeve të direktivës në baza individuale. Emetimi i dioksidit të squfurit të shumicës së termocentraleve në Serbi nuk janë shqetësuese ende.

Ky raport ka zbuluar se një numër i konsiderueshëm i termocentraleve që i kanë paraparë të ndërpresin funksionimin pas 31 dhjetorit 2023 duke arritur në 20,000 orë pune pas 1 janarit 2018, mund të mbyllen duke filluar nga viti i ardhshëm.

Termocentrali Plevja i Malit të Zi do të duhet të mbyllet gjatë vitit të ardhshëm, përveç nëse merren masa të rrepta për të përmbushur vlerat e emetimeve të Direktivës së Emetimeve Industriale. Tuzla (Blloku 4) i termocentrait në Bosnjë dhe Hercegovinë është duke operuar me një ndalesë të parashikueshme të operimit në maj 2021, e ndjekur nga tre termocentrale në Serbi, të cilat do të arrinin në fundin e 20.000 orëve të tyre para dhjetorit 2023 nëse operimi do të vazhdonte të jetë i njëjtë si në 2018-ën.

Drejtori i Sekretariatit, Z. Janez Kopač, tha se është koha që disa termocentrale në Ballkanin Perëndimor të dalin jashtë përdorimit për shkak se emetojnë gazra jashtë limiteve të Komunitetit të Ernergjisë.

“Ora po troket për termocentralet me qymyr në Komunitetin e Energjisë. Situata është veçanërisht e rëndësishme në Ballkanin Perëndimor pasi që afati i fundit që disa termocentrale të dalin jashtë përdorimit, thënë shkurt, po afrohet, në qoftë se ato vazhdojnë të funksionojnë me përdorim të lartë. Palët Kontraktuese të Komunitetit Energjetik duhet të ndërmarrin veprime urgjente për reduktimin e emetimeve, energjinë e rinovueshme dhe efikase, fusha këto të cilat ata mendojnë t’i zgjerojnë. Komuniteti Energjetik nuk ka kohë për të humbur në kuptim të ndjekjes së hapave drejt BE-së në lidhje me miratimin e objektivave për vitin 2030 sa i përket efikasitetit të energjisë, energjisë së rinovueshme dhe reduktimit të emetimit të gazrave serë”, tha Kopač.

Raporti Vjetor i Zbatimit të Sekretariatit për 2019 ka kapituj të dedikuar për energjinë elektrike, gazin, naftën, infrastrukturën, autoritetet rregullatore kombëtare, energjinë e rinovueshme, efikasitetin e energjisë, mjedisin, klimën, konkurrencën dhe statistikat. Rezultati i zbatimit është rritur nga 43% në 48% gjatë kësaj periudhe raportuese. Ndërsa Mali i Zi mbeti udhëheqës, për herë të parë, Maqedonia e Veriut me masat e saj të guximshme të reformës e ka tejkaluar Serbinë për të kërkuar vendin e dytë. Ukraina, tani në vendin e katërt, bëri një hap të madh në lëvizjen nga një treg jo-transparent i energjisë elektrike në një blerës në një qeverisje që korrespondon gjerësisht me modelin evropian të synuar dhe më në fund filloi hapa serioz drejt shthurjes së sistemit më të madh të transmisionit të Evropës.

Raporti i Implementimit zmadhon aktivitetet e zbatimit të Komunitetit të Energjisë dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Që nga viti 2008, Sekretariati ka hetuar 103 raste me rritje të ndihmës mjedisore dhe shtetërore. Bosnja dhe Hercegovina mbetet vendi me numrin më të madh të çështjeve të hapura me shkelje të Traktatit (9), e ndjekur nga Ukraina dhe Serbia (5).

“Kjo shpesh përfshin çështje të një rëndësie  të madhe për zhvillimin e tregut energjetik të një vendi në përputhje me ligjin evropian për energjinë, të tilla si dështimi konstant i Bosnjë dhe Hercegovinës në përmbushjen e Pakos së Tretë e, madje, edhe Pakos së Dytë Energjetike si dhe dështimin e Serbisë në zhbllokimin e operatorëve të sistemit të saj të transmetimit”, shpjegon Zëvendës Drejtori, Dirk Buschle.

Viktor Berishaj, anëtar i KOSID dhe Koordinator për politika të klimës dhe energjisë në Climate Action Network Europe tha për BIRN se Raporti i Implementimit e ka thënë atë që të gjithë qyetetarët e Ballkanit Perëndimor janë në kërcënim të vazhdueshëm nga djegia e qymyrit për prodhim të energjisë elektrike.

“Rajoni gjindet në momentin më kritik të mundshëm që njëherë e përgjithmonë të vendoset në rrjedhën e duhur të politikëbërjes dhe të marrë hapa të duhur për uljen e emisioneve të gazrave serë, duke u mbështetur në efiçiencë të energjisë dhe futjen e kapaciteteve të reja në punë nga burimet e ripërtrishme të energjisë. Caktimi i caqeve për vitin 2030 për këto tri variabla duhet të jetë prioritet i rajonit, në momentin kur secili prej shteteve është duke punuar në Planet Kombetare për Klimë dhe Energji”, tha Berishaj.

Ai po ashtu shtoi se Komuniteti i Energjisë në vazhdimësi ballafaqohet me problemin e gjetjes së një mekanizmi detyrimi për pajtueshmëri me detyrimet që dalin nga Traktati, por sipas tij këto vështirësi nuk duhet t’i ndalojnë në implementim palët kontraktuese, ngase pajtueshmëria me ato detyrime jo vetëm që dalin nga obligimet ligjore, por janë obligim i secilit shtet të Ballkanit Perëndimor ndaj qytetarëve të tyre.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.