QKUK: Dhjetë persona presin rezultatet për testimet për virusin Covid19

Pacientët janë të shtrirë në Klinikën Infektive dhe presin që rezultatet të dalin deri sot pasdite.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka njoftuar edhe për gjendjen e pacientëve të prekur nga virusi.

“Në Klinikën Infektive të QKUK-së sot më 1 prill 2020 janë të hospitalizuar 43 pacientë me Covid 19. Nga 43 raste të sëmurë me Covid 19: 36 pacientë janë në gjendje stabile, 7 pacientë janë me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive”, ka njoftuar Hoti.

Ndërsa sa i përket stafit të Klinikës Infektive, të vërtetuara me Covid 19 vazhdojnë të jenë tre infermiere në gjendje të mirë shëndetësore, prej të cilave dy janë duke u trajtuar në klinikë ndërsa njëra është e vetizoluar në shtëpi.

Deri sot në Kosovë janë konfirmuar 112 raste me coronavirus. Gjashtë nga ta janë shëruar, ndërsa është shënuar një viktimë.