Dardan Molliqaj dhe Naim Jakaj konference per media Foto: KALLXO.com

PSD-ja e mbështet Kurtin pas vendimit të Kushtetueses

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që u ndalon deputetëve kandidimin në qoftë se kanë ndonjë dënim.

PSD përmes një reagimi në Facebook ka thënë se vendimet arbitrare shtetërore nuk janë rrugë as mënyrë për ta privuar askënd nga jeta politike.

PSD tutje në reagim ka thënë se vendimi i Kushtetueses është skandaloz sepse vepër penale është edhe një aksident komunikacioni, por që ky kufizim është privues.

Publikimi i plotë i PSD:

Gjithçka na ndan me Kurtin, por statusin e qytetarit duhet mbrojtur

Gjykata Kushtetuese nuk ka punë me zgjedhjet dhe vullnetin politik të qytetarëve. Ajo po bëhet mjet presioni dhe organ disiplinimi për politikanët. Drejtësia, përpara se të bëhet normative, duhet të jetë komunikimi i parimeve të barazisë dhe universalitetit.

Gjithçka na ndan me Albin Kurtin. Me botëkuptimin e bindjet e tij. Jemi të bindur se profili i tij ideologjik do të prodhojë një model qeverisës që ka nevojë për rezistencë.

Por, vendimet arbitrare shtetërore nuk janë rrugë as mënyrë për ta privuar askënd nga jeta politike. Për më tepër, çfarë kërkohet këtu është disiplinim më tepër sesa ndalim. Deputet nuk mund të jesh, por kryeministër edhe bëhesh. Zmbrapsja para këtij absurdi është pranim i shantazhit disiplinues. Ku i dihet, e shohim pastaj nëse vërtetë je zgjedhur kryeministër.

Për fund, vendimi i Gjykatës është skandaloz në parim. Vepër penale mund të jetë edhe një aksident komunikacioni. Ky lloj kufizimi është privues ndaj lirive politike të qytetarëve. Vendimi motivon konformizëm dhe dëgjueshmëri për këdo që vepron politikisht. Politika është hapësirë lirie që duhet ta zgjerojmë, dhe jo kufi e ndalesë ku veprimi penalizohet.

Ligji është ndalesa që teksa shumëfishohet e përgjithësohet bëhet normë. Edhe një herë e shohim gjënë e njëjtë, sërish shpjegimi i njëjtë mbetet. Është ligji që e prodhon mëkatin dhe jo e kundërta. Prandaj përparimi shoqëror ka qenë historikisht në konflikt me ligjin që konservon dhe mirëmban gjendjen ekzistuese.

Gjykata Kushtetuese e ka publikuar vendimin e plotë duke shpallur përfundimisht Qeverinë Hoti si antikushtetuese.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka shpërndarë Kuvendin dhe ka caktuar datën e zgjedhjeve me 14 shkurt.