Prokuroria e Pejës sekuestron ekskavatorë e kamionë nga një eksploatues i zhavorrit

Pesë bagerë, tre nga ta ekskavatorë dhe dy lugë ngarkuese si dhe katër kamionë janë sekuestruar gjatë një aksioni që është realizuar të mërkurën, më 12.06.2024, me urdhër të Prokurorisë së Pejës.

Makineritë e rënda për përpunimin e zhavorrit e gurit dyshohet se janë përdorur për të shkatërruar apo degraduar natyrën.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëdhënësin e Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçin, i cili konfirmoi aksionin e të mërkurës.

Sipas tij, një kompani po kryente vepër penale në seperacionin i cili gjendet në fshatin Ozdrim të Pejës.

Pronari i kompanisë dyshohet se ka kryer veprën penale të ndotjes, degradimit ose shkatërrimit të mjedisit.

Në fotografitë të cilat i ka siguruar KALLXO.com janë disa prej makinerive që janë sekuestruar nga njëri nga prokurorët e Pejës në një rast që ka trajtuar ditëve të fundit.

“Janë në kuadër të veprimeve të shumta hetimore që janë bërë në lidhje me këto çështje që prekin degradimin e natyrës. Mund të ju konfirmoj se janë sekuestruar makineri nga një kompani në lidhje me këtë rast” – tha Nikçi për Kallxo.com.