Petkoviq: Rashiq është kali i Trojës i Albin Kurtit

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Nenad Rashiq, është “kali i Trojës i Albin Kurtit”.

“Sepse ashtu ai po përpiqet të kufizojë Beogradin zyrtar nga dialogu me Prishtinën dhe të zhvillojë bisedime ekskluzivisht me përfaqësues të bindur të serbëve të Kosovës”, ka deklaruar Petkoviq, raportojnë mediat në Serbi.

Më tej, Petkoviq ka thënë se Nenad Rashiq dhe Rada Trajkoviç janë të gatshëm të shesin besimin e tyre për të ndihmuar Kurtin të prishë dialogun Kosovë-Serbi.

“Të cilët janë të gatshëm të shesin besimin e tyre për të ndihmuar Kurtin të prishë dialogun, të përfundojë pavarësinë e shtetit të rremë dhe të ndërmarrin hapa vendimtarë drejt krijimit të të ashtuquajturës “Shqipëria e Madhe”, deklaroi Petkoviq.

Para disa ditëve, një grup të rinjsh kanë rrahur djalin e Nenad Rashiqit para objektit të shkollës. Djali i Rashiqit ka pësuar lëndime të rënda nga kjo rrahje. Policia ka arrestuar disa persona të përfshirë në këtë rrahje dhe të njëjtit janë në paraburgim me kërkesë të Prokurorisë.