Mjete shpërthyese/ Ilustrim.

Për çminuesit e Bosnjës, shpresa është më e fortë sesa frika

Është ora 12:16 në ditën e Krishtlindjes dhe Sead Vrana më dërgon një mesazh në Viber, duke kërkuar ta shtyjë intervistën tonë me 30 minuta.

“Kam një punë të vështirë ku kërkohet edhe prania ime. A mund ta shtyjmë takimin tonë për në orën 15:30?”, thuhej në mesazh.

Detyra ishte heqja e eksplozivëve që ishin zbuluar në një cisternë nëntokësore karburanti në kazermat ushtarake Blazuj në periferi të Sarajevës, ku aktualisht janë sistemuar afërsisht 750 emigrantë.

Brenda dy orësh, Vrana dhe ekipi i tij që merret me heqjen e eksplozivëve pastrojnë me sukses vendin nga një granate M57, disa bomba, një granatë tymëse 90mm, një raketë 82 mm O-832, një turjelë VPROM1, një plumb 20 mm dhe një granatë anti-tank HEAT.

Në orën 14:41, Vrana më dërgon përsëri mesazh: Dakord. Sapo hyra në zyrë dhe po të pres.”

Puna e përditshme e një çminuesi mund të jetë e paparashikueshme, shpjegon ai ndërsa më jep një kafe turke në një filxhan të vogël prej bakri.

“Sot mendoja se mund të vija në zyrë dhe të mbaroja raportin vjetor. Ndoshta të kontrolloja postën elektronike, të shkruaja disa letra… Pastaj patëm atë situatën në terren dhe nuk ishte një ditë mesatare.”

Zyra e Vranës në Administratën Federale të Mbrojtjes Civile në Sarajevë, e mbushur me xhingla dhe sende të dashura për të, është pothuajse si ajo e çdo punonjësi tjetër në një punë qeveritare.

Dokumentet janë ngjitur në mënyrë të çuditshme në një tabelë dhe në një cep të tryezës së tij është një kukull plastike e Snoopy-t dhe një fotografi e bashkëshortes së tij. Në mur janë të varura disa fotografi të Vranës dhe bashkëpunëtorëve të tij. Është një gëzhojë artilerie 90 mm e mesit të shekullit të XX që ndodhet në tryezën e tij ajo që të lë të kuptohet se puna e tij mund të mos jetë tipike.

“Unë nuk më pëlqejnë hapësirat sterile”, shpjegon ai ndërsa më vëren që po shoh një koleksion dekorativ me plumba anti-ajror 20 dhe 40 mm, të pozicionuar mjeshtërisht në rend ngjitje në tryezën e kafesë përballë tavolinës së tij.

Pjesa e sipërme e dollapit të tij është e mbushur me xhingla vdekjeje: katër mina tokësore, dy predha mortaje, një granatë dore dhe disa predha me majë të cilat Vrana i ka çaktivizuar të gjitha vetë.

E megjithatë, pavarësisht morisë së këtyre sendeve që zbukurojnë dhomën, prania e Vrana është çarmatuese dhe paqësore, dhe çdo fjalë e tij ekzekutohet me një saktësi elegante që ka jehonën e përpiktë të nevojshme në punën e tij.

Puna është ende shumë e nevojshme sepse, edhe 25 vjet pas konfliktit të viteve 1992-1995, Bosnja dhe Hercegovina mbetet një nga vendet më të kontaminuara nga minat në botë.

Përpjekjet për pastrimin e minave filluan pas luftës, por mbeten rreth 79,000 mina dhe pajisje të tjera të pashpërthyera (UXO), të përhapura në më shumë se 1,000 kilometra katrorë të terrenit të vendit.

Mbi gjysmë milioni banorë boshnjakë kërcënohen drejtpërdrejt nga mikro-lokacionet e kontaminuara nga minat, dhe njerëz të pafajshëm vazhdojnë të sakatohen dhe vriten çdo vit nga këto mbetje të tmerrshme të luftës.

“E di që bëra diçka që ka rëndësi”

Sead Vrana është i diplomuar për letërsi në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Sarajevës, një poet që ka botuar dhe një kandidat që dëshiron të marrë doktoraturën. Ai është gjithashtu tekniku me më shumë përvojë në heqjen e pajisjeve eksplozive të pashpërthyera në Bosnje dhe Hercegovinë dhe shef i eksplozivëve në Administratën Federale të Mbrojtjes Civile.

Në vitin 1993 gjatë luftës, vetëm një muaj para se të mbushte 18 vjeç, Vrana doli vullnetar të çminonte minën e tij të parë tokësore. Një minë ishte zbuluar pesë ose gjashtë metra larg vijës së frontit të armikut, dhe kështu Vrana, të cilit s’i pëlqente të trajtohej në mënyrë të veçantë ngaqë ishte ushtari më i ri në ekipin e tij, shfrytëzoi mundësinë për të demonstruar aftësitë e tij.

Pak pasi çaktivizoi me sukses minën, Vranës filloi t’i dridhej trupi: “Nisa të mendoja të gjitha gjërat që bëra që mund të më kishin marrë jetën”, kujton ai. “Dhe i thashë vetes: ‘S’do ta bëj më kurrë këtë.’” Por, me sa duket, e bëri.

Pas përfundimit të luftës, Vrana ishte një djalë i papunë dhe i paarsimuar, i cili ndodhi të ishte tepër i aftë në çarmatimit të armëve eksplozive, dhe filloi të punonte si çminues për qeverinë. Në këtë periudhë ai nisi gjithashtu edhe studimet për letërsi sllave, një interes që e kishte pasur që para se të fillonte lufta.

Vrana, i cili njihet gjithashtu me pseudonimin “Vrasësi i bombave” nga vajza re tij dhjetë vjeçare dhe “Doktori i bombave” nga kolegët e tij, ka një ndjenjë të fortë qëllimi dhe përmbushjeje për ta bërë vendin e tij më të sigurt.

“Kjo punë plotëson nevojën time për të qenë i dobishëm sepse e di se jam i dobishëm në një mënyrë shumë konkrete”, tha ai. “Kur, për shembull, heq një bombë 500 kg nga ndonjë vend në qendër të qytetit ose pastroj bomba të harruara nga ndonjë vend në pyll në vijën e frontit, e di që kam bërë diçka që ka rëndësi.”

Vetëm vitin e kaluar, Vrana dhe çminues nga Administrata Federale e Mbrojtjes Civile hoqën me sukses 2,645 UXO dhe 1,310 mina tokësore. Dhe duke marrë parasysh që një minë e vetme mund të vrasë njerëz brenda një rrezeje prej 50 metrash nga vendi ku ajo ndodhet si edhe të shkaktojë plagë të rënda për njerëzit deri në 100 metra larg eksplozivit, puna e Vranës dhe ekipit të tij është aq fisnike sa edhe e nevojshme.

“Fëmijët kanë nevojë për një mjedis të sigurt”

Eksplozivë që Sead Vrana dhe ekipi i tij i kanë hequr me sukses jashtë Sarajevës. Foto: Administrata Federale e Mbrojtjes Civile/Instagram.

Fotografi Rocco Rorandelli, i cili kaloi kohë me viktimat e minave të tokës për projektin e tij “Minat tokësore: Lufta e Pafund”, tha se një nga aspektet më të trishtuara të situatës ishte se “sa herë që shkelnin në mina, kjo ishte kryesisht në vende që përdoreshin për të ecur, kështu që ishte një kthesë totalisht e papritur ngjarjesh.”

Në kryeqytet, prania e minierave dhe UXO-ve, kërcënon akoma Sarajevën dhe komunat përreth, gjë që ka nxitur Nermin Hadzimujagiç, drejtor i Qendrës së Qenve për Detektimin e Minave, të krijojë një projekt të titulluar “Sarajeva pa Mina 2020”, një nismë për të pastruar Sarajevën nga lëndët e pashpërthyera deri në fund të shtatorit të këtij viti.

“Siguria është shumë e rëndësishme për njerëzit tanë”, shpjegoi Hadzimujagiç. “Ne kemi fëmijë dhe ata lëvizin ngado. Ata duhet të kenë një mjedis të sigurt.”

Eksperti ndërkombëtar i traumës, profesor Alexander McFarlane, tha se çminuesit janë “në një rrezik të madh” për të pësuar dëmtime psikologjike për shkak “të frikës së përhershme se kur po çaktivizon një minë, do të jesh viktimë edhe vetë”.

Megjithatë, pavarësisht se ka afërsisht tre dekada që ekspozohet vazhdimisht në situata kërcënuese për jetën e tij, Vrana vazhdon të jetë i zellshëm. Me sytë që i shkëlqejnë, ai tregon me kënaqësi një bisedë që bëri dikur me gruan e tij, kur ajo shprehu pakënaqësi që ai nuk rregullonte dot gjërat nëpër shtëpi.

“Të gjithë burrat dinë të rregullojnë gjëra në shtëpi, kurse ti jo”, oi ankua një ditë e shoqja. “Në rregull, po, por ne nuk po përdorim eksplozivë në shtëpi”, iu kthye ai.

Kur u pyet se si bën paqe me rreziqet që i paraqet puna që bën, ndërkohë që ai ka edhe një familje, Vrana psherëtiu rëndë dhe papritur gëzimi i tij u zhduk.

“Po të mos kishte siguracion jete, nuk do ta bëja këtë punë, edhe pse e dua shumë”, filloi ai. “Vetëm për time bijë. Në këtë mënyrë e di që nëse më ndodh diçka mua, ata s’do të duhet të vuajnë në jetë pa mua.”

“Në këtë punë,” vazhdoi ai, “nuk ka provë dhe gabim. Ka vetëm provë.”

“Kjo është një punë humanitare”

Brenda sallës së mbledhjeve të Administratës Federale të Mbrojtjes Civile, me krahët e palosur mbi gjoksin e tij të gjerë, Ferhat Ljuca qëndron ulur me uniformën e tij ngjyrë blu, me një rregullsi të pakuptueshme, duke pohuar me ngadalë dhe me vëmendje ndërsa e pyes.

Ferhat Ljuca në Administratën Federale të Mbrojtjes Civile në Sarajevë.

Ljuca është baba i tre fëmijëve, të cili i pëlqejnë skarat dhe urren lartësitë. Edhe ai është kontrollues cilësie i çminimeve për Administratën Federale për Mbrojtjen Civile dhe ka punuar në pastrimin e minave të tokës që kur ishte adoleshent.

I rritur pa nënë apo baba, fëmijëria e Ljucas nuk i lejoi atij kurrë luksin që të ëndërronte me sy hapur për atë që mund të bëhej kur të rritej.

“Kam pasur një jetë shumë të vështirë”, kujton ai. “I shikoj fëmijët e mi kur thonë se duan të bëhen zjarrfikës”, doktor…’” Ljuca nuk kishte mundësi të tilla: “Mendoja gjithmonë se do të bëhesha një njeri i mirë.”

Kur erdhi lufta, prirja e Ljucës filloi të formohej vetë brenda tij. “Lufta më gjeti në moshën 15, 16 vjeçare. Isha në moshë për t’u bërë ushtar, por e gjithë kjo ishte e detyruar nga situata. Kështu u bëra ky që jam sot, aty u përballa për herë të parë me minat.”

Ai tha se çminuesit janë “njerëz të sjellshëm, gjithmonë me humor të mirë. Në këtë punë s’mund të jesh gjaknxehtë apo i zemëruar.”

“Ne përballemi me gjëra të ndryshme. Një burrë pa kohë, i copëtuar, i sakatuar, zorrë, trupa të gjymtuar…” shpjegoi ai. “Por duhet t’i përballojmë të gjitha këto.” Ai mblidhet, thuajse me një lëvizje të ngadaltë: “Çfarë t’i bësh?”

“Nëse dikush do të më jepte një kompjuter për të punuar çdo ditë nga ora tetë e mëngjesit deri në orën 4 pasdite, nuk do ta bëja dot”, shprehet ai. “Kjo është një punë humanitare. Largon rrezikun në mënyrë që një fëmijë, një njeri, një bagëti të mos pësojë ndonjë aksident. Thjesht bie në dashuri me këtë punë dhe unë s’do të dija ç‘të bëja tjetër.”

Pavarësisht pasionit të tij të dukshëm për punën e tij dhe nivelin e lartë të tolerancës për shqetësimet emocionale, Ljuca e pranoi se nuk është imun psikologjikisht ndaj asaj që përjeton në punë.

“Nuk mund të them se nuk është e frikshme. Bën disa punë … dhe mund të më ndodhë që për disa orë nuk mund të ha, nuk e largoj dot një ndjesi të keqe”, tha ai.

Ai rrëfeu një incident në afërsi të qytetit të Olovës, të cilin e thirrën para disa vitesh, i cili i ka mbetur i ngulitur në kujtesë edhe sot. Një burrë e kishte marrë djalin e tij 12-vjeçar me vete në një pyll të kontaminuar nga minat për të mbledhur dru zjarri.

“Ndërsa ai priste dru në fushën me mina tokësore, i vogli po luante”, filloi Ljuca. “Pati një shpërthim dhe i vogli vdiq.”

Kur Ljuca dhe ekipi i tij arritën në vendin e ngjarjes, ata vunë re babanë dhe karrocën e vogël të djalit me të cilën supozohej të transportonin drutë në shtëpinë e tyre.

“Burri nuk kishte para për të blerë dru për zjarr, kështu që e mori edhe djalin me vete në pyll. Ç’kuptim ka jeta për të tani?”

Ljuca shpjegoi se ndërgjegjësimi për minat luan një rol tepër të rëndësishëm në misionin e Bosnjës për të mbrojtur njerëzit e saj nga minat.

Ai tregoi për një rast në Hadzici një vit më parë, ku tre djem të moshës 12-13 vjeçare kishin shkelur rastësisht në një fushë të minuar pasi ishin larguar me  vrap për t’i shpëtuar një qeni të zemëruar.

“Ata kishin marrë mësime për rrezikun e minave, kështu që kur panë tabelat për prani minash, njëri prej tyri i telefonoi me celular të atit. I ati i tha: “Qëndro aty, mos lëviz’ dhe na telefonoi ne”, tha ai.

Kur ai dhe kolegët e tij zbuluan djemtë, ata kishin qëndruar pa lëvizur fare nga vendi për tre orë, siç i kishte mësuar të vepronin Qendra e Qenve për Detektimin e Minave.

Ata djem tani janë aktivistë për ndërgjegjësimin për minat tokësore, tha Marija Trlin, një nga mësueset për rrezikun e minave në Qendrën e Qenve për Detektimin e Minave. “Ne në fakt morëm feedback nga ana sepse ata e mbajtën mend atë që ne u themi dhe kjo u shpëtoi jetën.”

“Le ta bëjmë të nesërmen më të bukur”

Edhe pse kjo punë mund të jetë shumë përmbushëse kur shpëtohen jetë njerëzish dhe ka rezultate të favorshme, çdo vit çminuesit vazhdojnë të vdesin në punë.

“Çminuesit bëjnë vetëm dy gabime në karrierën e tyre”, pohoi Ljuca. “I pari është kur bëhen çminues dhe i dyti është kur vdesin.”

Sipas Svjetlana Luledzja, një zëdhënëse e Qendrës Boshnjake për Veprim ndaj Minave, që nga përfundimi i luftës, 131 çminues kanë mbetur me probleme të përhershme dhe 54 janë vrarë, përfshirë dy çminues veteranë vitin e kaluar në qytetin e Kupres.

Pasi dëgjoi vdekjen e tyre, 31-vjeçari Milan Cvoro, i cili sapo kishte nisur punë si çminues, kaloi me ditë të tëra duke kërkuar në mendjen e tij shpjegime të mundshme. “Fakti që ata kishin një përvojë të gjatë, ngrinte shumë pyetje. Si? Çfarë?” tha ai.

Kur Cvoro u diplomua në shkollën e drejtësisë në vitin 2014, ai nuk e imagjinonte kurrë se vendi i tij i punës do të ishte një fushë e minuar.

“Më interesonte ligji penal dhe familjar dhe ëndërroja një sallë gjyqi, duke marrë vendime të rëndësishme”, kujton ai. Por kur nuk po arrinte të gjente dot një punë pasi kaloi provimin e avokatit, ai vendosi të kërkojë punë diku tjetër.

Një çminues në Doboj, një nga vendet më të kontaminuar nga minat në Bosnej dhe Hercegovinë. Foto: Rocco Rorandelli/Terra Project.

Cvoro ka bërë punë nga më të ndryshmet. Shpërndante bukën në mëngjes në pikat e shitjes me pakicë, shërbim klienti…  E megjithatë asgjë nga këto nuk e bënte atë të ndiente se po jepte një kontribut të cilin ai e dëshironte aq shumë.

Kështu që tetë muaj më parë, pasi mbaroi një kurs për çminime të kryer nga Ushtria Boshnjake, ai përqafoi mundësinë për të bërë një ndryshim.

“Vendosa të bëj atë që më shkon për shtat. Të riparoj diçka, të ndihem më i dobishëm”, tha ai. “Ne të gjithë do të donim që jeta jonë të shkonte në drejtimin që kemi imagjinuar, por le të bëjmë diçka në periudhën derisa të vijë ajo punë, për ta bërë të nesërmen tonë më të bukur.”

Puna e Cvoros si çminues manual e shikon atë të hyjë në zona të konfirmuara të ndotura nga minat në kërkim të minave të tokës dhe mjeteve të pashpërthyera. Pasi kryen një kontroll, ai përdor gërshërë për të prerë me kujdes çdo bimësi dhe shkurre deri në pesë centimetra lartësi, kryen një inspektim vizual dhe më pas kryen një kontroll të detajuar, duke skanuar tokën për praninë UXO me një detektor metalik.

Kur gjendet një sinjal i fortë, ai përdor të pajisje për të kuptuar vendin e saktë ku ndodhet eksplozivi, përpara se të gërmojë një vrimë 15 centimetra para tij. Kur eksplozivi lokalizohet, Cvoro atëherë rrethon zonën me shkopinj dhe shirit të kuq dhe organizon gjërat që njerëz si Vrana dhe Ljuca ta heqin dhe ta shkatërrojnë atë.

Ditën e parë të punës, Cvoros iu caktua të punonte në një vend ku askush nuk kishte shkelur për 20 vjet. Ditën e tij të dytë të punës, ai zbuloi një minë anti-tank TMA-3 dhe tha se koka i ishte mbushur me të gjitha gjërat që ai kishte dashur të bënte në jetë, por s’i kishte bërë, dhe të gjithë njerëzit të cilëve kishte dashur t’u thoshte gjëra, por s’ua kishte thënë.

Kur nëna e Cvoros e mori vesh për vendimin e të birit për të punuar në çminim, ajo u shqetësua shumë. “A duhet vërtet ta bësh këtë?” e pyeti ajo. “Nuk mund të bësh diçka tjetër?”

Por për Cvoron, duke qenë çminues, ai kupton akoma më mirë se po ndihmon në krijimin e një të nesërme më të mirë për vendin e tij.

“Puna më bën të ndihem më i përmbushur sepse shoh që gjërat që unë bëj po shkojnë drejt një të ardhme të dobishme për nipin tim, fqinjin ose ndonjë njeri tjetër. Madje, edhe askush nuk e sheh këtë, mua më mjafton që e ndiej këtë gjë vetë”, shpjegoi ai.

Ai ishte vetëm tre vjeç kur shpërtheu lufta, por beson se secili individ ka një përgjegjësi personale të sjellë ndryshime pozitive për këtë komb të pasluftës.

“Na mbetet neve të bëjmë gjërat që mundemi, në mënyrë që Bosnja të bëhet më e bukur për ne, fëmijët tanë dhe të tjerët”, deklaroi ai. “Pse të mos japim një pjesë të vetes tonë në përpjekje për të lënë diçka pas nesh, të paktën një gjurmë?”

Që kur u bë çminues, Cvoro tha se e do familjen e tij më shumë se kurrë, duke u siguruar gjithmonë t’u dërgojë atyre një mesazh kur kthehet në pikën e kontrollit pas mbarimit të një pune.

“Unë kam dy motra dhe ne flasim gjithmonë me njëri-tjetrin, sepse s’i dihet kurrë ç‘të sjell dita dhe me çfarë rreziqesh mund të përballesh”, tha ai. “Sepse më besoni, teksa largohemi nga një vend pune, themi: “Lavdi Zotit!’”. (reporter.al)