Para vendimit, gazetari kujton pushtetin që kishin gjatë luftës ish-zyrtarët e sigurimit serb Stanishiç e Simatoviç

Në një intervistë për BIRN, gazetari Filip Svarm foli për pushteti që kishte Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç mbi serbët që luftonin në Kroaci dhe Bosnjë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë. Vendimi në gjyqin e tyre për krime lufte do të merret së shpejti.

Njësitë luftarake nën komandën e zyrtarëve të sigurimit të shtetit serb Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç “kontrollonin situatën në terren” në pjesë të kontrolluara nga serbët e Kroacisë dhe, në një masë më të vogël, në Bosnjë gjatë luftërave të viteve 1990, tha për BIRN gazetari veteran serb Filip Svarm përpara vendimit në gjyqin e e dyshes në Hagë.

Të ekstraduar në 2003, Stanisiç dhe Simatoviç – tani përkatësisht 70 dhe 71 vjeç – – u liruan nga akuza një dekadë më vonë, por vendimi u rrëzua në 2015 dhe u urdhërua një rigjykim i çështjes.

Ata akuzohen për drejtimin dhe organizimin e financimit, trajnimit, mbështetjes logjistike dhe ndihmës tjetër për njësitë speciale të armatosura të sigurimit të shtetit dhe njësitë paraushtarake të përfshira në krime lufte në Kroaci dhe Bosnjë, të cilat synonin largimin me forcë dhe të përhershëm të shumicës jo-serbe nga pjesë të mëdha të të dy vendeve midis vitit 1991 dhe 1995.

Një vendim fajësie do të ishte si një shuplakë për Serbinë, e cila e ka mohuar gjithmonë se ajo ishte pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në luftërat në ish-republikat jugosllave, megjithëse mbulimi i pakët i mediave serbe i gjyqit hedh dyshime mbi ndikimin e vendimit mbi perceptimet e mbajtura nga publiku serb.

“Ajo që nuk ishte e qartë në fillim ishte se çfarë pushteti të vërtetë kishin këta njerëz, çfarë po bënin dhe çfarë nuk po bënin ata”, tha 55-vjeçari Svarm, i cili si gazetar dhe redaktor në të përjavshmen Vreme raportoi nga afër për grupet paraushtarake që qëndronin pas shumë prej mizorive më të këqija të kolapsit të Jugosllavisë.

Por, ai tha, “një gjë ishte e qartë dhe ajo është se ata ishin nën kontrollin e rreptë të autoriteteve rebele në rajonin e shkëputur të kontrolluar nga serbët të Krajinës në Kroaci. Duke iu referuar liderëve serbë të Kroacisë Milan Martiç dhe Milan Babiç, të dy më vonë të dënuar për krime lufte në Hagë, Svarm tha se Sigurimi i Shtetit “po i detyronte ata të futeshin në atë kallëpin që donte Sllobodan Millosheviçi.

“Kam biseduar me Milan Babiç para se ai të nisej për në Hagë dhe kishte vërtet sinqerisht frikë nga Sigurimi i Shtetit, nga njerëzit që drejtoheshin nga Jovica Stanisiç. Kjo frikë nuk ndaloi edhe kur ata njerëz nuk ishin më pjesë në Sigurimin e Shtetit.”

“Po vijnë njerëz nga Beogradi”

Stanisiç dhe Simatoviç, i njohur si ‘Frenki’, kishin një status gati mitik në ndërgjegjen e publikut serb gjatë viteve 1990, duke vepruar në heshtje dhe në dukje i përgjigjeshin vetëm Millosheviçit.

Svarm përshkroi se si mbulimi mediatik në atë kohë e portretizoi Simatoviçin si “një lloj James Bond serb, i cili shfaqet dhe zhduket në terren, një person jashtëzakonisht misterioz që i kishte në dorë të gjitha ato formacione paraushtarake”.

Stanisiç, tha ai, ishte një bashkim i “mitit dhe realitetit” që rrethonte të gjithë shefat e shërbimit sekret, marrëdhëniet e tij me opozitën e atëhershme ndaj Millosheviçit janë intriguese.

Një nga detyrat e tyre kryesore gjatë luftërave, siç thonë prokurorët, ishte të trajnonte luftëtarët serbë për në Kroaci dhe Bosnjë në kampe të ngritura brenda Kroacisë dhe Bosnjës, si dhe në Serbi. Më i njohuri ishte në Golubic, afër Kninit, selia e shtetit të vogël të Krajinës në Kroacinë lindore.

“Filluam menjëherë të dëgjonim se nga Beogradi po vinin njerëz të caktuar, se këta njerëz janë anëtarë të fuqishëm të Sigurimit të Shtetit – Franko Simatoviçi, Majori ‘Fica’ (Dragan Filipoviç) dhe të tjerë. Ishte e qartë që në fillim”, tha Svarm.

“Ishte e qartë si në Krajinë ashtu dhe Republikën Srpska në Bosnjë, sidomos në Krajina, se pa mbështetjen e Serbisë është e pamundur të mbijetosh”, tha ai për BIRN. “Pastaj shikon një njësi në të cilën ka njerëz nga Sigurimi i Shtetit. Ata thonë ‘Jovica po ju ruan. Sloba (Millosheviçi) po ju ruan. Nuk duhet të shqetësoheni për asgjë.’ Kjo të ngrinte moralin.”

Por përtej ngritjes së moralit, ata gjithashtu ushtronin kontroll mbi politikën dhe rrjedhën e parave në zona të kontrolluara nga serbët në Kroaci dhe Bosnjë, të cilat jetonin kryesisht me kongrabandë.

“Ata njerëz që Sigurimi i Shtetit i shpalli të duhur, premtues, do të lejoheshin të bënin ca kontrabandë”, tha Svarm. “Të tjerët nuk do të lejoheshin.”

“Ata kontrollonin situatën në terren, sa më shumë që ishte e mundur, për ta sjellë atë në përputhje me një politikë që i përshtatej Millosheviçit.”

“Ne jemi të rëndësishëm”

Pas luftërave në Bosnjë dhe Kroaci, por para se të fillonin seriozisht luftimet në Kosovë, Millosheviçi mori pjesë në një ceremoni në maj 1997 për të festuar përvjetorin e themelimit të Njësisë së Operacioneve Speciale të Sigurimit të Shtetit Serb, komandanti i të cilës ishte Simatoviçi.

Videoja e këtj eventi në selinë e Njësisë së Operacioneve Speciale në Kula, Serbia veriore, dhe e cila u shfaq për herë të parë gjatë gjyqit të Millosheviçit dhe përsëri në procedurat kundër Stanisiçit dhe Simatoviçit, tregon se Millosheviçit i tregohet një dhomë përkujtimore dhe një hartë që përshkruan rrugën e ndjekur nga Njësia e Operacioneve Speciale përmes Kroacisë dhe Bosnjës.

“Kjo, rruga e luftës e njësisë, shërben për disa qëllime”, tha Svarm. “Njëri qëllim është sigurisht i rëndësishëm për secilën nga këto njësi luftarake, ai që thotë ‘këtu janë viktimat tona, kjo është rruga e luftës që kemi shkelur’. Tradita e kështu me radhë.”

“Së dyti, e informoi Millosheviçin për atë që kjo njësi bëri për të. Ata po thonë, ‘Shikoni, ne ishim këtu, këtu vdiq ky, ai… Njësia po thotë, ‘Ne jemi të rëndësishëm’. Millosheviçi e pranon këtë.”

Pas vizitës së Millosheviçit në Kula, tha Svarm, “është e qartë për ne që kjo njësi, kur lufta të ketë mbaruar, nuk do të shpërbëhet dhe është e qartë se Sllobodan Millosheviçi ende po mbështetet tek ajo njësi. Ai po i beson asaj për sa i përket Kosovës, por edhe për sa i përket trazirave të brendshme në vetë Serbi.”

Pak më shumë se tre vjet më vonë, me forcat serbe të dëbuara nga Kosova, pas 11 javë sulme ajrore të NATO-s, Millosheviçi u rrëzua nga pushteti në tetor 2000.

Në 2002, Sigurimi i Shtetit Serb mori emrin Agjencia serbe e Informacionit dhe Sigurisë, BIA, por Njësia e Operacioneve Speciale mbeti, të paktën derisa ish-komandanti i saj, Milorad Ulemek, i njohur më mirë si “Legija”, drejtoi një grup ish-anëtarësh të Njësisë së Operacioneve Speciale dhe figura të krimit të organizuar në vrasjen e kryeministri reformist Zoran Djindjiç në mars 2003.

Stanisiç dhe Simatoviç u morën në operacionin e madh policor që u ndërmor pas vrasjes së Djindjiçit. “Ata nuk dinin çfarë të bënin me Stanisiçin dhe Simatoviçin dhe arritën në përfundimin se ishte më mirë t’i ekstradonin ata në Hagë”, tha Svarm.

Asnjë ish-oficer i lartë i Njësisë së Operacioneve Speciale nuk është akuzuar kurrë në Serbi për krime lufte të kryera në Kroaci ose Bosnjë.

Teksa sheh Serbinë sot, Svarm vuri në dukje se disa anëtarë të koalicionit aktual qeverisës – presidenti Aleksandër Vuçiç dhe kryetari i parlamentit Ivica Daçiç, për shembull – ishin, në vitet 1990, “pjesë e atij regjimi në të cilin Stanisiçi dhe Simatoviçi bënë karrierën e tyre”.

Vuçiç ishte ministër informacioni i Serbisë gjatë luftës në Kosovë 1998-1999, ndërsa Daçiç ishte një ndihmës i Millosheviçit. Të tjerë, të dënuar për krime lufte, tani janë anëtarë të partive në pushtet, kremtohen si heronj.

“Po shohim një kthim në vitet 1990”, tha Svarm me keqardhje.

“Për një kohë të gjatë, kemi pasur amnezi kolektive, vitet 1990 nuk ekzistonin, domethënë nga 2012 deri në disa vjet më parë, dhe tani kemi një riafirmim të drejtpërdrejtë të viteve 1990, të paktën përsa i përket kësaj qeverie”. Partia Progresive Serbe e Vuçiçit mori pushtetin në 2012, pasi u nda nga Partia ultranacionaliste Radikale Serbe.

“Ne kemi njerëz që janë dënuar dhe tani janë në krye të paradave ushtarake dhe janë anëtarë të partive politike”, tha Svarm.

Me figurat kryesore të Njësisë së Operacioneve Speciale pas hekurave për vrasjen e Djindjiçit, Serbia nuk “gërmoi më thellë” në operacionin tjetër të njësisë, tha Svarm. “Zoti e di se çfarë do të zbulonte tjetër një investigim i këtyre njësive dhe çfarë pyetjesh do të ngriheshin.”