Pakistan, 22 të vdekur, 50 të lënduar pasi treni del nga binarët
Të paktën 22 persona kanë vdekur dhe mbi 50 të tjerë janë lënduar si pasojë e daljes së një treni nga shinat në jug të Pakistanit të dielën, njoftuan zyrtarët pakistanezë.
Younis Chandio, zyrtar i lartë policor, tha për mediat lokale më 6 gusht se operacionet e shpëtimit kanë nisur për t’i nxjerrë njerëzit nga vagonët.
Ai tha se 10 vagonë të trenit dolën nga binarët.
Ndërkohë, ministri i Hekurudhës i Pakistanit, Khawaja Saad Rafique, tha se “ky është një aksident shumë i madh. Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur në vendngjarje”.
Treni doli nga binarët afër stacionit hekurudhor Sahara në qytetin Nawabshah, në jug të provincës Sindh.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale i shfaqin dhjetëra njerëz në vendngjarje, disa prej të cilëve duke i thyer dritaret për t’i ndihmuar udhëtarët të dalin nga vagonët e rrokullisur.
Aksidentet dhe daljet e trenit nga binarët ndodhin shpesh në sistemin e vjetruar hekurudhor në Pakistan.
Në qershor 2021, dy trena u përplasën mes vete afër Daharkit në Sindh, duke i vrarë të paktën 65 njerëz dhe duke i lënduar rreth 150 të tjerë.
Të paktën 75 udhëtarë u dogjën në një zjarr që e kishte kapluar trenin Tezgam në tetor 2019, derisa nga përplasja e dy trenave në Ghotkit u vranë më shumë se 100 njerëz më 2005/REL/.