Osmani e Kurti urojnë kryeministrin e ri të Australisë
Pas fitores së liderit të Partisë Laburiste australiane, Anthony Albanese, i cili do të jetë kryeministri i ri i Australisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kanë uruar atë.
Osmani ka shprehur interesimin që të bashkëpunojnë me Albanesen me qëllim të afrimit në mes dy shteteve dhe popujve.
“Anthony Albanese, urime për fitoren tuaj. Ju dëshiroj çdo sukses përderisa përgatiteni për ta marrë rolin e rëndësishëm si kryeministër i Australisë. Shprehim interesimin që të bashkëpunojmë me ju dhe t’i afrojmë shtetet dhe popujt tanë, si dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Australisë ndërmjet dy shteteve tona ta ngrisim në nivele të tjera”, është shprehur e para e vendit.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka thënë se ndryshimi në politikat australiane është i mirë dhe politikat progresive klimatike të laburistëve janë pozitive për botën.
“Urime laburistëve australianë dhe Anthony Albanese. Ky ndryshim thelbësor në politikat australiane, është jo vetëm i mirë për popullin e Australisë, por dhe politikat progresive klimatike të laburistëve janë pozitive për botën”, ka thënë Kurti.
Albanese në garën për kryeministër ka arritur ta mposhtë konservatorin, kryeministrin aktual, Scott Morrison.