OKB-ja kërkon një zonë të çmilitarizuar rreth uzinës bërthamore të Zaporizhzhias

Sot është dita e 170 e invazionit ushtarak rus mbi Ukrainë. Zhvillimet e fundit nga atje janë si në vijim:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy u ka thënë zyrtarëve që të ndalojnë së foluri me gazetarët për taktikat ushtarake të Kievit kundër Rusisë, duke thënë se komente të tilla ishin “sinqerisht të papërgjegjshme”. Komentet e presidentit vijnë pasi organizatat e lajmeve cituan zyrtarë të paidentifikuar që thanë se forcat ukrainase ishin përgjegjëse për shpërthimet që shkatërruan një bazë ajrore ruse në Krime të martën, pavarësisht se Kievi nuk pranoi të thoshte nëse qëndronte pas shpërthimeve.

Shkatërrimi në bazën ajrore ruse në Krime sugjeron se Kievi mund të ketë marrë aftësi të reja sulmi me rreze të gjatë me potencialin për ta ndryshuar rrjedhën e luftës. Baza është shumë përtej rrezes së raketave të avancuara që vendet perëndimore pranojnë se i kanë dërguar Ukrainës deri më tani, me disa ekspertë ushtarakë perëndimorë që thonë se shkalla e dëmtimit dhe saktësia e dukshme e goditjes sugjerojnë një aftësi të re të fuqishme me implikime potencialisht të rëndësishme.

OKB-ja ka kërkuar një zonë të çmilitarizuar rreth uzinës bërthamore të Zaporizhzhias, ndërkohë që Rusia dhe Ukraina po shkëmbejnë akuza të ndërsjella për bombardime të tjera të centralit të enjten. Kompania e energjisë bërthamore e Ukrainës tha se ishte granatuar pesë herë nga forcat ruse të enjten, duke rezultuar në pamundësinë e stafit për t’i ndryshuar turnet. Megjithatë, agjencia ruse e lajmeve Tass raportoi se autoritetet lokale të imponuara nga Rusia në Zaporizhzhia e pushtuar thanë se uzina ishte qëlluar nga forcat ukrainase. Agjencia e Ukrainës Energoatom tha se uzina po funksiononte normalisht.

Shtetet e Bashkuara i mbështesin thirrjet për një zonë të çmilitarizuar rreth uzinës Zaporizhzhia pas luftimeve ku përfshihen forcat ruse dhe ukrainase në afërsi të uzinës, tha të enjten një zëdhënës i Departamentit të Shtetit. “Luftimi pranë një centrali bërthamor është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm dhe ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Rusisë që t’i ndërpresë të gjitha operacionet ushtarake në ose pranë objekteve bërthamore të Ukrainës dhe ta kthejë kontrollin e plotë në Ukrainë dhe t’i mbështesë thirrjet e Ukrainës për një zonë të çmilitarizuar rreth termocentralit bërthamor.”

Sekretari britanik i mbrojtjes ka thënë se Vladimir Putin tani nuk ka gjasa të ketë sukses në pushtimin e Ukrainës. Ben ëallace tha se pushtimi rus i Ukrainës është “lënduar” dhe “ka filluar të dështojë”, pasi ai premtoi më shumë mbështetje financiare dhe ushtarake për mbrojtjen e Ukrainës.

Rusia e ka dyfishuar numrin e sulmeve ajrore ndaj pozicioneve ushtarake dhe infrastrukturës civile të Ukrainës në krahasim me javën e kaluar, tha të enjten gjenerali ukrainas Oleksiy Hromov. “Aeroplanët dhe helikopterët e armikut po e shmangin fluturimin në rrezen e mbrojtjes sonë ajrore, dhe për këtë arsye saktësia e këtyre sulmeve është e ulët,” tha ai në një konferencë shtypi.

Ukraina synon t’i evakuojë dy të tretat e banorëve nga zonat që e kontrollon në rajonin lindor të fushëbetejës së Donetskut para dimrit, pjesërisht për shkak të shqetësimit se njerëzit nuk do të jenë në gjendje të qëndrojnë ngrohtë mes infrastrukturës së dëmtuar nga lufta, tha zëvendëskryeministri të enjten. Qeveria planifikon të evakuojë rreth 220,000 njerëz nga rreth 350,000, duke përfshirë 52,000 fëmijë, tha Iryna Vereshchuk në një konferencë shtypi.

Ukraina pret qëndihma financiare amerikane prej 3 miliardë dollarësh të arrijë në gusht dhe 1.5 miliardë dollarë të tjera në shtator, tha të enjten ministri i saj i financave, Serhiy Marchenko. Marchenko tha se pagesat ishin pjesë e paketës së ndihmës financiare prej 7.5 miliardë dollarësh të dakorduara nga Ukraina dhe SHBA në fillim të verës dhe do të përdoren për t’i financuar “shpenzimet me rëndësi”, të tilla si kostot e kujdesit shëndetësor dhe pensioneve.

Bjellorusia ka thënë se shpërthimet e dëgjuara gjatë natës në një nga bazat e saj ushtarake 19 milje nga Ukraina ishin shkaktuar nga një “incident teknik”. Të paktën tetë shpërthime u dëgjuan pas mesnatës pranë aeroportit ushtarak Zyabrovka, sipas raportimeve përmes rrjetit social Telegram.  

McDonald’s do ta fillojë rihapjen e disa prej restoranteve të tij në Ukrainë në muajt e ardhshëm, si shenjë mbështetjeje pasi zinxhiri amerikan i ushqimit të shpejtë u tërhoq nga Rusia. Gjigandi i burgerëve i mbylli restorantet e tij ukrainase pas pushtimit të Rusisë gati gjashtë muaj më parë, por ka vazhduar të paguajë më shumë se 10,000 punonjës të McDonald’s në këtë vend./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala